Borrell bën thirrje për llogaridhënie pas sulmit ajror izraelit në “zonën e sigurt” në Gaza
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, “dënoi fuqishëm” sulmin ajror vdekjeprurës izraelit në një zonë të shpallur si “zonë e sigurt humanitare” në Gazën jugore të martën dhe bëri thirrje për llogaridhënie, transmeton Anadolu.
“Ligjet e luftës duhet të respektohen, civilët të mbrohen dhe të sigurohet llogaridhënia”, tha Borrell në X, duke shtuar: “Ne nuk mund ta normalizojmë katastrofën humanitare në Gaza”.
Të paktën 40 njerëz u vranë dhe dhjetëra u plagosën në sulmet ajrore izraelite herët të martën në një kamp me tenda në Khan Younis në zonën al-Mawasi, të cilën Izraeli e kishte përcaktuar si “zonë të sigurt humanitare” për civilët e zhvendosur në Gaza.
Shërbimi i mbrojtjes civile i Gazës tha se raketat izraelite u vunë flakën tendave të refugjatëve dhe shkaktuan kratere deri në nëntë metra të thella në zonë.
Izraeli ka vazhduar ofensivën brutale në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm.
Më shumë se 41.000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë dhe rreth 95.000 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Bllokada e vazhdueshme e enklavës ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa sulmet kanë lënë pjesën më të madhe të rajonit në gërmadha.
Izraeli përballet me akuza për gjenocid për veprimet e tij në Gaza në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.