Bloomberg: Trump po i bën presion vendeve të Ballkanit për të pranuar emigrantët

Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump po ushtron presion ndaj Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit për të pranuar emigrantët e deportuar nga Shtetet e Bashkuara, raporton agjencia Bloomberg News, duke cituar burime pranë çështjes.
Sipas raportit, kërkesat ndaj qeverive të rajonit janë pjesë e një strategjie më të gjerë të SHBA-së për të gjetur vende të gatshme të mirëpresin emigrantë të cilëve u është refuzuar qëndrimi në SHBA.
As Shtëpia e Bardhë, as Departamenti Amerikan i Shtetit, dhe as Ministria e Jashtme e Serbisë nuk iu përgjigjën interesimit të Reuters pas bërjes publike të lajmit.
Kjo nismë vjen në vazhdën e një vendimi të rëndësishëm të Gjykatës Supreme të SHBA-së, e cila muajin e kaluar lejoi administratën Trump të revokojë statusin e përkohshëm të mbrojtur për qindra mijëra emigrantë nga Venezuela, Kuba, Haiti dhe Nikaragua. Vendimi hap rrugën për deportimin e tyre dhe ka intensifikuar përpjekjet e Uashingtonit për të gjetur vende alternative pritëse.
Sipas Bloomberg, pikërisht në këtë kontekst, zyrtarë të administratës amerikane kanë kërkuar bashkëpunim nga vende si Serbia dhe të tjera në Ballkan për të lehtësuar kthimin e këtyre emigrantëve.
Kjo nuk është hera e parë që vendet e rajonit të Ballkanit përmenden si partnerë potencialë në politikat e emigracionit të SHBA.
Megjithatë, nuk ka ende konfirmim zyrtar mbi ndonjë marrëveshje konkrete në këtë drejtim.