Bislimi: Rriten investimet në terapi inovative dhe qasja në barna për qytetarët

Zëvendësdrejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sedat Bislimi, ka njoftuar për rritje të investimeve në barna dhe terapi moderne, duke theksuar se institucionet po punojnë për një sistem shëndetësor më të qëndrueshëm dhe më të qasshëm për qytetarët.

“Së bashku me drejtorin Sasho Klekovski, po vazhdojmë përkushtimin tonë për një sistem shëndetësor më të qëndrueshëm dhe më të qasshëm për çdo qytetar”, deklaroi Bislimi.

Sipas analizës së Fondit të Sigurimit Shëndetësor për periudhën 2023–2025, është shënuar një rritje e konsiderueshme e investimeve në barna, me fokus të veçantë në terapi moderne inovative dhe biologjike për pacientët me sëmundje më të rënda.

Nga të dhënat e publikuara rezulton se mjetet e përgjithshme për barna janë rritur për 33.9 për qind, ndërsa investimet në terapi inovative dhe biologjike janë rritur me pothuajse 80 për qind. Gjithashtu, gjatë vitit 2025 janë realizuar 27.3 milionë receta, ose 7.9 për qind më shumë krahasuar me vitin 2023.

Në njoftim thuhet se për herë të parë është vërejtur një ulje e konsumit të antibiotikëve, që sipas Fondit paraqet një tregues pozitiv për përdorim më racional të tyre. Po ashtu, theksohet se prokurimi spitalor po stabilizohet, duke mundësuar përdorim më efikas të mjeteve publike.

Bislimi vuri në dukje edhe zgjerimin e Listës Pozitive me 18 marka të reja barnash, prej të cilave 15 do të jenë të disponueshme pa pagesë shtesë për të siguruarit.

“Me përfshirjen e markave të reja gjenerike ulen çmimet referente, realizohen kursime të konsiderueshme të mjeteve publike dhe krijohet hapësirë për përfshirjen e terapive të reja inovative”, thuhet në njoftim.

Sipas tij, synimi mbetet zgjerimi i qasjes në terapi dhe përmirësimi i kujdesit shëndetësor për çdo të siguruar.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button