Biden telefonon Trumpin pas “tentativës për vrasje”
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden telefonoi ish presidentin Donald Trump dhe i uroi “të shkuara” pas ngjarjes për të cilën thuhet se ishte “tentativë për vrasje”, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë thuhet se presidenti Biden telefonoi Trumpin dhe diskutoi lidhur me ngjarjen e shënuar.
“Presidenti Biden bisedoi në telefon me ish presidentin Trump dhe shprehu kënaqësinë e tij që ai ishte mirë. Të dy zhvilluan bisedë të sinqertë dhe Trump shprehu falënderimet për telefonatën”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.
Trump bëri një deklaratë me shkrim lidhur me bisedën duke thënën se zhvilluan një bisedë të sinqertë.
Biden i cili telefonoi Trumpin lidhur me ngjarjen për të cilën thuhet se ishte tentativë për vrasje, më parë tha se nuk mundi të kontaktonte me ish presidentin dhe se do ta telefononte sërish më pas.
Ngjarja
Të shtëna me armë zjarri u dëgjuan pranë fushës së golfit ku ish-presidenti amerikan Trump ndodhej në Florida mbrëmjen e djeshme dhe më pas u raportua se ai ishte i sigurt.
Djali i madh i Trumpit, Donald Trump Jr., njoftoi në llogarinë e tij X se një armë AK-47 u gjet në shkurre në fushë pas incidentit nga forcat vendase të zbatimit të ligjit dhe se u kap një i dyshuar.
Burimet që folën për AP thanë se agjenti i Shërbimit Sekret hapi zjarr ndaj të dyshuarit ndërsa Trump, të cilin ai ishte përgjegjës për mbrojtjen, po luante golf.
Në e-mailin e tij drejtuar mbështetësve të tij, Trump tha se ai “nuk do të dorëzohet kurrë”. “Kam dëgjuar të shtëna armësh rreth meje, por para se thashethemet të dalin jashtë kontrollit dua të them se: Jam mirë dhe i sigurt”.
Byroja Federale e Hetimeve të SHBA-së (FBI) njoftoi se po heton “ngjarjen që duket si një tentativë për vrasje” kundër Trumpit. Biden lidhur me ngjarjen tha se “Shërbimi Sekret ka nevojë për më shumë ndihmë”.
Trump shpëtoi me një lëndim në vesh nga tentativa për vrasje gjatë tubimit në Pensilvani më 13 korrik.