Belgjika i bën thirrje BE-së të zhvillojë një strategji të përbashkët ndaj Rusisë

Ministri i Punëve të Jashtme i Belgjikës, Maxime Prevot, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian (BE) të zhvillojë një strategji të përbashkët për marrëdhëniet me Rusinë dhe të sigurojë një rol më të fortë në çdo negociatë të ardhshme paqeje për Ukrainën, transmeton Anadolu.
Duke folur para një takimi joformal të ministrave të Jashtëm të BE-së në Administratën Greke Qipriote, Prevot tha se blloku evropian nuk mund të mbetet më “spektator” derisa po vazhdojnë diskutimet për sigurinë evropiane.
“Për mua, ka ardhur momenti që BE-ja të kërkojë një vend në tryezën e negociatave”, tha ai për transmetuesit belg Radio 1.
Prevot tha se BE-ja duhet të përcaktojë një qëndrim të unifikuar ndaj Moskës “me transparencë të plotë me Ukrainën”, veçanërisht teksa SHBA-ja duket se po redukton përfshirjen e saj në përpjekjet për paqe.
Ai pranoi se ekzistojnë ndarje mes shteteve anëtare të BE-së, veçanërisht vendeve më afër Rusisë si Polonia, Finlanda dhe shtetet baltike, por tha se këto dallime mund të tejkalohen.
Prevot theksoi gjithashtu nevojën për të ruajtur presionin ndaj Moskës, duke thënë se “ende nuk ka shenja” që Rusia është e gatshme për negociata serioze.



