BE përgatit një paketë të re teknologjike për të ulur varësinë nga SHBA-ja dhe Kina

E shqetësuar për të mos qenë e cenueshme ndaj vendimeve të qeverive të huaja, Bashkimi Evropian po përgatit masa të reja të gjera për të hequr dorë nga kompanitë digjitale amerikane dhe çipat kinezë, në favor të alternativave evropiane.

Paketa për sovranitet teknologjik e BE-së është ndër shumë masat që Brukseli po ndërmerr për të reduktuar varësinë nga kompanitë e huaja dhe për të forcuar prodhimin vendor – por rrezikon të hapë një front të ri tensionesh transatlantike.

Paketa e shumëpritur e rregullave të reja për çipat, cloud computing dhe inteligjencën artificiale do të prezantohet të mërkurën si pjesë e përpjekjeve të BE-së për të “rikthyer vendin e saj në garën globale për fuqinë gjeoekonomike”, thuhet në një draft-strategji të parë nga AFP.

Një shqetësim i veçantë është varësia e madhe e BE-së nga ofruesit amerikanë të cloud-it, të cilët përbëjnë rreth 70 për qind të tregut evropian.

Që kur presidenti Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar, evropianët druhen se infrastruktura kritike digjitale mund të ndalet përmes një “butoni ndalimi” amerikan nëse tensionet përshkallëzohen.

Zyrtarët e lartë të BE-së nuk e përmendin drejtpërdrejt SHBA-në si objektiv, por teknologjia amerikane dominon nga cloud computing te rrjetet sociale dhe tregtia elektronike.

“Duhet të zhvillojmë kapacitetet tona. Nuk mund të lejojmë që dikush të ndikojë në vendimet tona, vlerat tona dhe funksionimin e ekonomisë dhe shërbimeve tona,” tha këtë muaj komisionerja e konkurrencës në BE, Teresa Ribera.

Zyrtarët e BE-së shpesh përmendin sanksionet e Uashingtonit ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale – të vendosura nga Trump në shkurt 2025 – si shembull i ndikimit të kompanive amerikane. Gjyqtari Nicolas Guillou ka përshkruar se si humbi aksesin në kartën e tij Visa, pasi është një sistem amerikan.

Megjithatë, i dërguari amerikan në BE, Andrew Puzder, ka paralajmëruar kundër çdo mase proteksioniste, ndërsa kompanitë amerikane i kanë bërë thirrje Evropës të mos i përjashtojë.

“Evropa nuk do të mund të hyjë në ekonominë e inteligjencës artificiale duke ulur të tjerët,” tha Puzder për AFP muajin e kaluar.

Paketë e gjerë

Paketa e së mërkurës do të përfshijë Aktin për zhvillimin e Cloud-it dhe IA-së, që synon përshpejtimin e vendosjes së infrastrukturës së qendrave të të dhënave; një propozim për Aktin e Çipave për të forcuar sigurinë e furnizimit me gjysmëpërçues duke ulur varësinë nga ofruesit e huaj; si dhe një shtysë që autoritetet publike të përdorin më shumë softuer me burim të hapur për të rritur kontrollin dhe fleksibilitetin.

Eurodeputeti Oliver Schenk tha se paketa “nuk ka të bëjë me kundërshtimin e partnerëve tregtarë apo mbylljen e tregjeve”, por shtoi: “Evropa duhet të shmangë varësinë strukturore nga një aktor i vetëm i jashtëm” për IA, cloud dhe çipa.

Draft-strategjia, e cila mund të ndryshojë para shpalljes, thekson se qeveritë do të duhet të kryejnë “vlerësime të rrezikut të sovranitetit” për cloud dhe IA, për të rritur qëndrueshmërinë dhe për të identifikuar alternativa evropiane.

“Evropa duhet të sigurojë që investimet publike në IA dhe infrastrukturën cloud të forcojnë kapacitetin inovativ, qëndrueshmërinë dhe sigurinë,” tha Schenk.

Sipas një drafti të dytë për çipat, Komisioni dëshiron fuqinë për të ndërhyrë në rast krize duke detyruar prodhuesit të japin përparësi produkteve kritike, duke tejkaluar kontratat ekzistuese.

Propozohet gjithashtu blerja e përbashkët, që do të thotë se BE do të veprojë si “blerës qendror” për disa shtete anëtare që përballen me mungesa të rënda.

“Nuk ka buton ndalimi”

Aaron Cooper nga grupi i industrisë teknologjike Business Software Alliance u përpoq të qetësonte shqetësimet e evropianëve se administratat amerikane mund të dëmtojnë BE-në në raste tensioni.

“Nuk ekziston një gjë e tillë si ‘butoni i ndalimit’,” tha Cooper, duke shtuar se kompanitë “duan të respektojnë ligjet kudo ku operojnë”.

Kompanitë amerikane të teknologjisë janë përpjekur ta zhvendosin fokusin e debatit, duke theksuar se evropianët do të kenë kontroll mbi të dhënat e tyre edhe kur përdorin shërbime amerikane.

“Sovraniteti digjital ka të bëjë me kontrollin, jo vetëm me kufijtë,” tha Ana Paula Assis, kryetare e IBM për Evropën, Lindjen e Mesme, Afrikën dhe Azinë-Paqësor.

BE thotë se paketa do të nxisë inovacionin dhe do ta ndihmojë Evropën të arrijë SHBA-në dhe Kinën në garën për inteligjencën artificiale.

Por Ben Brake, drejtor i përgjithshëm i DOT Europe, organizatë që përfshin kompani si Amazon dhe Apple, tha se “ndëshkimi i kompanive amerikane si përgjigje ndaj mosmarrëveshjeve tregtare nuk do të nxisë inovacionin dhe as nuk do të forcojë konkurrueshmërinë e Evropës.” /TRT World/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button