Bashkëkryetarja e AfD-së bën thirrje që Gjermania të largohet nga euro dhe Zona Shengen

Bashkëkryetarja e Alternativës për Gjermaninë (AfD), Alice Weidel, tha se partia e saj do të kërkonte që Gjermania të largohej nga euro dhe Zona Shengen, do të mbyllte kufijtë kombëtarë dhe do të zbatonte politika më të ashpra të migrimit nëse do të hynte në qeverinë federale, transmeton Anadolu.

Duke folur në intervistën verore të televizionit ZDF, Weidel tha se “Gjermania ishte dukshëm më mirë para futjes së euros”, duke argumentuar se monedha e kishte dobësuar ekonominë gjermane dhe kishte ulur pasurinë e familjeve.

Sa i përket migrimit, ajo tha: “Ne do t’i mbyllim dhe do të largohemi nga Shengen-i”, duke iu referuar kufijve të Gjermanisë. Ajo bëri gjithashtu thirrje për më shumë dëbime dhe më pak dhënie të shtetësisë, përfshirë kthimin e sirianëve, statusi i mbrojtjes së të cilëve ka përfunduar.

Weidel kritikoi partinë Bashkimi Demokristian (CDU) të kancelarit, Friedrich Merz dhe Partinë Socialdemokrate (SPD) të ministrit të Financave Lars Klingbeil, ndërsa dënoi refuzimin e CDU-së për të bashkëpunuar me AfD-në.

“Ne do të qeverisim në landet e para federale. Dhe do të qeverisim edhe në nivelin federal”, tha ajo.

AfD-ja ka mbi 40 për qind mbështetje në sondazhe në Saksoninë-Anhalt, përpara zgjedhjeve të 6 shtatorit, dhe 27 për qind në nivel kombëtar, sipas institutit kërkimor Forschungsgruppe Wahlen, krahasuar me 22 për qind për CDU-në.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button