Azizi: Emërimi i Zilfiqar Zejnullahut është lajm i mirë për komunitetin turk në Maqedoninë e Veriut

Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka përshëndetur zgjedhjen e Zilfiqar Zejnullahut si ministër pa resor në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të rëndësishëm për komunitetin turk në vend.
Azizi theksoi se me emërimin e Zejnullahut, komuniteti turk do të ketë përfaqësim të drejtpërdrejtë në ekzekutiv.
“Sot, koalicionit qeverisës iu bashkua zyrtarisht ministri i sapozgjedhur, miku im Zilfiqar Zejnullah. Ky është një lajm i mirë për komunitetin turk në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili tashmë do të ketë një përfaqësim të drejtpërdrejtë dhe një adresë të qartë në Qeveri,” u shpreh Azizi.
Ai i uroi ministrit të ri suksese në ushtrimin e detyrës së tij.
“Urime ministrit Zilfiqar Zejnullah për detyrën e re! I uroj shëndet, mbarësi dhe suksese në përmbushjen e përgjegjësive që ka marrë përsipër,” tha deputeti i VLEN-it.
Në reagimin e tij, Azizi uroi gjithashtu komunitetin turk dhe Partinë Demokratike Turke (TDP) për këtë përfaqësim institucional, duke shprehur bindjen se ai do të kontribuojë në të mirë të të gjithë qytetarëve.
“Urime komunitetit turk dhe Partisë Demokratike Turke (TDP) për këtë përfaqësim institucional. Besoj se ky angazhim do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe do të forcojë bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve në vend,” përfundoi Adnan Azizi.



