Autoritetet serbe i caktojnë 1 muaj paraburgim kosovarit nën akuzat për krime lufte

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka njoftuar se Gjykata e Lartë e Beogradit i ka caktuar një muaj paraburgim kosovarit Osman Selmani, i cili u arrestua të mërkurën nën akuzat për krime lufte.
Sipas njoftimit të ministrisë serbe, Selmani, lindur në vitin 1953, akuzohet se më 14 qershor të vitit 1999 në lagjen “Sofalia” në Prishtinë, në bashkëpunim me disa anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), privuan nga jeta çiftin Vlladimir dhe Persa Stanisavljeviq.
Ai u arrestua të mërkurën në pikëkalimin kufitar në Mutivodë.
Sipas familjarëve, ai ka qenë për vizitë në fshatin Tupallë të Medvegjës, që është vendlindja e tij.
“Ju njoftojmë se babai ynë, Osman Selmani, është arrestuar më 01.07.2026 në pikën kufitare Mutivodë, teksa po kthehej nga vendlindja e tij. Aktualisht, ai ndodhet në Prokurorinë për Krime Lufte në Beograd, përballë akuzave të cilat ne, si familje, i konsiderojmë të pabazuara dhe të pavërteta”, thuhet në postimin e familjes së tij të cilët thanë se besojnë në pafajësinë e Osman Selmanit.
Familjarët kanë thënë se ai bashkë me familjen për më shumë se 50 vjet jetojnë në Prishtinë dhe se Selmani ka shkuar në Medvegjë për vizitë edhe disa herë të tjera, por është arrestuar vetëm këtë herë.
Viteve të fundit, Serbia ka arrestuar disa shtetas të Kosovës nën pretendime për krime lufte në Kosovë më 1998-99.



