Artan Grubi dhe Përparim Bajrami në gjyq: Prokuroria paraqet prova materiale
Me prezantimin e provave materiale nga ana e Prokurorisë Publike, sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup duhet të vazhdojë gjykimi për rastin “Lotaria Shtetërore”, ku mes të akuzuarve janë ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi dhe ish-drejtori i SHA “Lotaria Shtetërore”, Përparim Bajrami.
Në seancën e kaluar, Prokuroria prezantoi dokumentacion të voluminoz lidhur me themelimin e shoqërisë së përbashkët me partnerin e huaj, vendime qeveritare, si dhe transaksione financiare që lidhen me furnizimin e terminaleve të videolotarisë (VLT).
Në sallën e gjyqit u prezantuan edhe Programi i punës i SHA “Lotaria Shtetërore” për vitin 2023, kontrata mbi vepër dhe mendimi i përgatitur nga një vlerësues i autorizuar mbi vlerën dhe rentabilitetin e investimit në terminalet e videolotarisë, si dhe informacioni i dorëzuar në Sekretariatin General të Qeverisë për nevojën e organizimit të pavarur të lojërave elektronike të fatit me analizë tregu. Prokuroria i referua edhe provave që rrjedhin nga mbledhja e 158-të e Qeverisë, e mbajtur më 6 qershor 2023 – rendi i ditës i propozuar, shënimet stenografike, procesverbalet, konkluzionet qeveritare dhe vendimi për miratimin e punës së Bordit Drejtues të lotarisë, si dhe mendimi nga Ministria e Financave.
Si prova materiale u bashkëngjitën edhe urdhëpagesa në valutë të huaj, ekstrakte bankare nga Halkbank, karta analitike për operatorët ekonomikë “Eurogames Technology”, “Sinot” dhe “Shpedicija MKD”, si dhe dhjetëra formularë për realizimin e faturave, llogarive dhe fletëdërgesave për aparatet e furnizuara.
Përveç ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe ish-drejtorit të lotarisë Përparim Bajrami, të cilët ishin në arrati por u kthyen dhe iu dorëzuan autoriteteve në vend, në këtë lëndë gjyqësore të akuzuar janë edhe Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski. Ata ngarkohen se me tejkalimin e kompetencave zyrtare i kanë shkaktuar dëm SHA “Lotaria Shtetërore” në vlerë prej 596.125.511 denarë.
Të gjithë të akuzuarit në rrjedhën e mëparshme të procedurës u deklaruan se nuk ndihen fajtorë për veprat që u vihen në barrë.
Akuzën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davcevski, ndërsa procesin gjyqësor e udhëheq gjyqtarja Biljana Shuplinovska-Jovevski.



