Apeli rrit dënimet për një pjesë të të dënuarve në rastin „Grupi i Gërçecit“, refuzohen ankesat e të akuzuarve

Gjykata e Apelit në Shkup ka refuzuar si të pabazuara ankesat e të akuzuarve në rastin e njohur për publikun si „Grupi i Gërçecit“, ndërsa ka pranuar ankesën e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke ndryshuar kështu dënimet e shqiptuara në aktgjykimin e shkallës së parë.
Siç njofton Gjykata, pas seancës së mbajtur publike, shqyrtimit të shkresave të lëndës, ankesave, propozimit të Prokurorisë së Lartë Publike dhe thënieve me gojë të palëve, më 10 korrik të këtij viti ka marrë vendim me të cilin ka refuzuar ankesat e të akuzuarve F.B., S.A., N.I., B.A., F.S. dhe Sh.S.
Njëkohësisht, Apeli ka pranuar ankesën e Prokurorisë dhe ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore Penale Shkup të datës 15 korrik 2025, në pjesën që ka të bëjë me sanksionet penale, përkatësisht lartësinë e dënimeve të shqiptuara.
Në pjesën tjetër, aktgjykimi i shkallës së parë është vërtetuar, duke përfshirë edhe vendimet me të cilat të akuzuarit u shpallën fajtorë për vepra penale që lidhen me:
Prodhimin dhe lëshimin e paautorizuar në qarkullim të lëndëve narkotike,
Shoqërimin kriminal, dhe
Vrasjen.
Nga Gjykata e Apelit vënë në dukje se për shkak të materialit të madh dëshmues dhe kompleksitetit të lëndës, aktualisht është në rrjedhë e sipër përgatitja me shkrim e aktgjykimit.
”Publiku do të njoftohet në mënyrë shtesë për shpalljen e vendimit të Gjykatës së Apelit Shkup për këtë lëndë konkrete, i cili do të jetë i qasshëm i plotë në faqen e internetit të gjykatës, në përputhje me Ligjin për Gjykatat dhe Ligjin për Menaxhimin e Lëvizjes së Lëndëve në Gjykata”, njoftoi Gjykata e Apelit Shkup.



