Antikorrupsioni inicoi procedurë kundër ish-ministres së Kulturës për keqpërdorim të mjeteve buxhetore për qëllime private
Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sot mori vendimin të inicojë procedurë deri te organet kompetente lidhur me përdorimin e mjeteve buxhetore për qëllime private të ish-ministres së Kulturës, Bisera Kostandinovska Stojçevska.
Në seancën e sotme të Komisionit informuan se i konfirmojnë pretendimet për përdorimin e fondeve buxhetore për qëllime private gjatë udhëtimit zyrtar të ish-ministres në Britaninë e Madhe dhe Irlandë me rastin e 30 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike.
“Pretendimet për përdorimin e mjeteve buxhetore pë qëllime private janë konfirmuar, me çfarë konstatohet se mjetet janë shpenzuar për qëllime private. KSHPK-ja do të veprojë në kuadër të kompetencave të veta dhe do të inicojë procedurë pranë organeve kompetente”, tha anëtari Zoran Bogoevski.
Sipas inspektimit të kryer të dokumentacionit, nga KSHPK-ja thonë se ministrja e Kulturës në vitin 2023 ka realizuar vizitë bilaterale me shpenzime prej 1.300 funtave britanike avancë, prej të cilave 229 funta janë marrë si shpenzime për përfaqësim dhe 600 funta për akomodim. Nga 292 funta, 280 janë shpenzime të cilat KSHPK-ja konsideron se ato nuk mund të cilësohen si shpenzime përfaqësimi. Për më tepër, 528 funta u paguan me kartelën zyrtare të Ministrisë së Kulturës, prej të cilave 485 funta janë shpenzime të cilat, siç shtojnë nga KSHPK-ja, nuk mund të kualifikohen si të bëra për qëllime zyrtare.
VMRO-DPMNE-ja në pushtet para pak kohësh ka dalë me akuza ndaj deputetes së LSDM-së dhe ish-ministres së Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska, e cila, siç njoftojnë nga partia, gjatë kohës sa ishte në detyrë në Qeveri ka shpenzuar para nga buxheti për nevoja personale dhe luks.