Amnesty i kërkon Italisë t’i japë fund marrëveshjes me Shqipërinë për emigrantët

Amnesty International i bëri thirrje të enjten Italisë t’i japë fund marrëveshjes me Shqipërinë për ndalimin e emigrantëve, duke paralajmëruar se kjo skemë jashtë territorit italian rrezikon sigurinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut të azilkërkuesve dhe emigrantëve.

Në një raport që shqyrton marrëveshjen e vitit 2023, organizata tha se qindra persona janë transferuar me forcë në qendrat në Shqipëri, ku qasja e kufizuar te avokatët dhe gjykatat pengon aftësinë e tyre për të kërkuar azil dhe drejtësi.

“Qëllimi përfundimtar i ndalimit jashtë territorit është frenimi i migrimit dhe përpjekja për të zhvendosur e shmangur si përgjegjësitë për trajtimin e personave që migrojnë, ashtu edhe detyrimin për t’u ofruar azil atyre që kanë nevojë”, tha Eve Geddie, drejtoreshë e Zyrës së Amnesty International për Institucionet Evropiane.

Sipas Amnesty International, Italia transferoi 74 persona drejtpërdrejt nga ujërat ndërkombëtare drejt Shqipërisë gjatë tri operacioneve të zhvilluara mes tetorit 2024 dhe janarit 2025.

Transferimet u ndërprenë pasi gjykatat italiane shfuqizuan urdhrat e ndalimit. Megjithatë, Roma e ndryshoi marrëveshjen në mars të vitit 2025, duke lejuar transferimin në Shqipëri të burrave ndaj të cilëve ishte lëshuar urdhër dëbimi dhe që ndodheshin tashmë në qendrat e ndalimit në Itali.

Që atëherë, më shumë se 500 burra, kryesisht persona të racializuar, raportohet se janë dërguar në qendrën e ndalimit në Gjadër, tha organizata.

Amnesty International dokumentoi 42 incidente kritike në këtë qendër nga 11 prilli deri më 16 maj 2025, përfshirë të paktën dy tentativa për vetëvarje, disa raste të vetëlëndimit dhe një protestë gjatë së cilës tre persona u plagosën nga copat e xhamit.

Organizata akuzoi gjithashtu qeverinë italiane për kufizimin e monitorimit të pavarur dhe të mbikëqyrjes parlamentare.

Megjithëse personat e ndaluar në Shqipëri mbeten nën juridiksionin italian, largësia e tyre nga Italia dhe qasja e kufizuar te avokatët, gjykatat dhe garancitë e tjera dobësojnë të drejtën e tyre për të kërkuar azil dhe për të pasur qasje në drejtësi, tha Amnesty International.

“Është plotësisht e qartë se modeli Itali-Shqipëri është i pamundur të zbatohet në përputhje me detyrimet e Italisë për të drejtat e njeriut”, tha Geddie.

Amnesty International u bëri thirrje autoriteteve italiane ta përfundojnë marrëveshjen, të përdorin alternativa ndaj ndalimit dhe të sigurojnë qasje në procedura efektive azili dhe pritje dinjitoze në territorin italian.

Marrëveshja pesëvjeçare hyri në fuqi në shkurt të vitit 2024. Italia raportohet se ka ndarë më shumë se 670 milionë euro (783 milionë dollarë) për zbatimin e saj deri në vitin 2028. /TRT Balkan/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button