Alarm demografik në Maqedoninë e Veriut: 4.500 fëmijë “mungojnë” nga klasat e para

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka bërë të ditur se deri tani për vitin shkollor 2026/2027 janë regjistruar rreth 14.500 nxënës të klasës së parë. Ndërkohë, numri i paraleleve është ulur për rreth 200 në arsimin fillor dhe 100 në arsimin e mesëm. Numri i nxënësve të regjistruar ende nuk është përfundimtar, pasi regjistrimet vazhdojnë deri në fund të shtatorit.

 

Megjithatë, krahasimi i shifrës aktuale me numrin e fëmijëve të lindur në gjeneratën që këtë vit duhet të nisë klasën e parë ngre pikëpyetje që nuk mund të shpjegohen vetëm me rënien e natalitetit.

 

Rënie e vazhdueshme e numrit të nxënësve

Të dhënat tregojnë se numri i nxënësve të klasës së parë ka ardhur duke u ulur prej vitesh. Në vitin shkollor 2016/2017 ishin regjistruar 23.266 nxënës të klasës së parë, ndërsa në 2018/2019 mbi 22.100. Në vitin 2023/2024 numri ishte 19.848, në 2024/2025 ishte 19.452, ndërsa në 2025/2026 kishte rënë në 17.921.

 

Për vitin aktual shkollor, deri tani janë regjistruar rreth 14.500 nxënës. Nëse krahasohen të dhënat e vitit 2016/2017 me shifrën aktuale për vitin 2026/2027, diferenca është afro 9.000 nxënës.

 

Përveç rënies së numrit, shqetësues është edhe ritmi i saj. Midis viteve 2023/2024 dhe 2024/2025 numri u ul me 396 fëmijë. Një vit më pas rënia ishte 1.531, ndërsa këtë vit, sipas të dhënave aktuale, rreth 3.400 nxënës.

 

Rreth 4.500 fëmijë më pak se numri i të lindurve në vitin 2020

Fëmijët që këtë vit duhet të ulen në bankat e klasës së parë, në pjesën më të madhe, kanë lindur në vitin 2020. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, atë vit në vend janë regjistruar 19.031 lindje të gjalla.

 

Deri tani janë regjistruar rreth 14.500 nxënës, që paraqet një diferencë prej rreth 4.500 fëmijësh, ose afërsisht 24 për qind e numrit të fëmijëve të lindur në vitin 2020.

 

Kjo nuk do të thotë se të gjithë këta fëmijë janë larguar nga vendi ose se nuk janë pjesë e sistemit arsimor. Regjistrimet ende vazhdojnë dhe një pjesë e fëmijëve mund të regjistrohen në vazhdim. Për këtë arsye, krahasimi përfundimtar do të jetë i mundur vetëm pas përfundimit të regjistrimeve.

 

Megjithatë, edhe me këtë rezervë, mbetet pyetja se sa e diferencës shpjegohet nga emigrimi dhe sa nga faktorë të tjerë.

 

Nataliteti është një faktor, por jo i vetmi

Rënia e natalitetit është një proces real dhe afatgjatë. Nga 19.031 lindje të gjalla në vitin 2020, numri ka rënë në 16.061 në vitin 2024.

 

Megjithatë, fëmijët e lindur në vitin 2024 do të fillojnë klasën e parë në vitin 2030. Nxënësit që këtë vit hyjnë në shkollë kanë lindur në vitin 2020, kur numri i lindjeve ishte ende mbi 19 mijë.

 

Për këtë arsye, rënia e natalitetit nuk e shpjegon e vetme diferencën aktuale. Një faktor tjetër i rëndësishëm është emigrimi.

 

Më pak nxënës, por jo më pak mësues

Një tjetër veçori e të dhënave është se, pavarësisht rënies së numrit të nxënësve, ministrja ka deklaruar se nuk do të ketë largime nga puna të mësuesve me kontrata të përhershme.

 

Si një nga zgjidhjet është paralajmëruar mësimi njëndërrimësh dhe qëndrimi më i gjatë i nxënësve në shkollë, me qëllim që stafi ekzistues mësimor të angazhohet më shumë.

 

Ndërkohë, numri i shkollave fillore është në rënie. Në vitin shkollor 2023/2024 kishte 955 shkolla fillore dhe 18.831 mësues. Një vit më pas numri i shkollave ra në 943, ndërsa numri i mësuesve u rrit në 19.447. Në vitin 2025/2026 kishte 927 shkolla dhe 19.461 mësues.

 

Kjo do të thotë se brenda tre vitesh janë 28 shkolla më pak, ndërsa numri i mësuesve është rritur për më shumë se 600.

 

26 shkolla rurale pa asnjë nxënës të klasës së parë

Një nga pasojat e drejtpërdrejta është paralajmërimi për mbylljen e 26 shkollave rurale në të cilat këtë vit nuk është regjistruar asnjë nxënës i klasës së parë.

 

Sipas ministres, në disa prej këtyre shkollave mësojnë vetëm pesë deri në tetë nxënës. Synimi është optimizimi i rrjetit shkollor në përputhje me futjen e mësimit njëndërrimësh.

 

Sipas arsyetimit të ministres, bëhet fjalë për çështje pedagogjike dhe jo financiare, pasi në shkollat me shumë pak nxënës është e vështirë të sigurohet mësim cilësor, veçanërisht kur nxënësit e disa klasave mësojnë së bashku.

 

Shkupi përballet me mungesë hapësirash

Rënia e numrit të nxënësve nuk është e njëjtë në të gjitha pjesët e vendit. Ndërsa zonat rurale përballen me mungesë të fëmijëve, në disa komuna të Shkupit ka mungesë të kuadrit mësimor dhe nevojë për kapacitete të reja shkollore.

 

Në Aerodrom, për shembull, është evidentuar nevoja për zgjerimin e shkollave për shkak të mungesës së klasave. Kjo tregon se krahas rënies demografike ekziston edhe një tendencë tjetër – migrimi i brendshëm drejt Shkupit dhe qendrave më të mëdha urbane.

 

Kështu, në të njëjtin vend disa shkolla përballen me banka të zbrazëta dhe mbyllje, ndërsa të tjera nuk kanë hapësirë të mjaftueshme për të gjithë nxënësit.

 

Pasojat do të ndihen edhe në vitet e ardhshme

Më pak nxënës të klasës së parë sot do të thotë më pak nxënës në arsimin fillor në vitet e ardhshme, e më pas edhe më pak nxënës të shkollave të mesme dhe studentë.

 

Pasojat nuk kufizohen vetëm te arsimi. Më pak fëmijë sot do të thotë edhe më pak të rinj në tregun e punës në të ardhmen.

 

Për këtë arsye, shifra prej 14.500 nxënësish të klasës së parë nuk është vetëm statistikë arsimore. Ajo është një nga treguesit se si po ndryshon struktura e popullsisë dhe kah po lëviz vendi.

 

Shtatori do të tregojë shifrën përfundimtare

Numri përfundimtar i nxënësve të klasës së parë do të dihet pas përfundimit të regjistrimeve në shtator. Deri atëherë, krahasimi mes 19.031 fëmijëve të lindur në vitin 2020 dhe rreth 14.500 nxënësve të regjistruar deri tani duhet të merret me rezervë.

 

Megjithatë, pyetja mbetet: nëse numri përfundimtar vazhdon të jetë dukshëm më i ulët se numri i fëmijëve të lindur në të njëjtën gjeneratë, atëherë bankat e zbrazëta në shkolla nuk do të jenë vetëm pasojë e rënies së natalitetit, por edhe e emigrimit, migrimeve të brendshme dhe faktit se sa prej fëmijëve të lindur në Maqedoninë e Veriut sot jetojnë jashtë vendit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button