A po dorëzohet Izraeli: Hagari thotë se Hamasi s’mund të eliminohet, reagon zyra e Netanyahut

Zëdhënësi kryesor i ushtrisë izraelite, Kundëradmiral Daniel Hagari, e paraqiti qëllimin e luftës së Izraelit për eliminimin e Hamasit si të paarritshëm tani për tani, mësa duket duke i vënë më tej në pah tensionet mes kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe zyrtarëve të lartë të mbrojtjes rreth menaxhimit të luftës në Gaza nga kreu i ekzekutivit.
“Kjo puna e shkatërrimit të Hamasit, zhdukja e Hamasit – është thjesht hedhje e rërës syve të publikut” – tha Hagari në një intervistë për televizionin “Channel 13”, raporton gazeta “The Times of Israel”.
“Hamasi është ide. Hamasi është parti. Është i rrënjosur në zemrat e njerëzve. Kushdo që mendon se mund ta eliminojmë Hamasin, e ka gabim” – shtoi ai.
Hagari gjithashtu paralajmëroi se “nëse Qeveria nuk gjen një alternativë, [Hamasi] do të mbetet” në Rripin e Gazës.
Si kundërpërgjigje, zyra e Netanyahut tha në një deklaratë se kabineti i sigurisë “e ka përcaktuar si njërin nga qëllimet e luftës shkatërrimin e kapaciteteve ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit”.
“Forcat e Mbrojtjes të Izraelit natyrisht se janë të përkushtuara për këtë” – thuhet më tej në deklaratë.
Njësia e Zëdhënësit të Forcave Mbrojtëse të Izraelit lëshoi më pas një deklaratë, ku tha se ushtria është e përkushtuar ndaj qëllimeve të shpallura të luftës nga Qeveria, përfshirë shkatërrimin e aftësive qeverisëse dhe ushtarake të Hamasit, duke shtuar se Hagari në intervistë kishte folur për “çrrënjosjen e Hamasit si ideologji dhe si ide”.
“Çfarëdo pretendimi ndryshe është nxjerrje e komenteve nga konteksti” – thuhet në deklaratë.
Komentet e Hagarit të mërkurën u bënë jehonë fjalëve që oficeri ushtarak i kishte thënë muajin e kaluar, kur ishte pyetur nëse kthimi i ushtrisë në zonat e pastruara më parë nga Hamasi ishte rezultat i mosmarrjes së një vendimi nga Qeveria për atë se kush do ta qeveriste Gazën në vend të Hamasit.
“Nuk ka dyshim se një alternativë qeverisëse për Hamasin do të krijojë presion ndaj Hamasit, por kjo është çështje për nivelin politik” – kishte thënë Hagari atëherë.
Ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, i ka bërë thirrje Netanyahut që t’i çojë përpara planet për qeverisjen e Gazës pas luftës. Në maj, ky ministër paralajmëroi se dështimi për të gjetur zëvendësim për Hamasin do t’i minojë arritjet ushtarake të Izraelit, pasi grupi do të mund të rigrupohej dhe ta rivendoste kontrollin në enklavën palestineze.
Për më tepër, Gallanti i ka bërë thirrje Netanyahut që ta përjashtojë pushtetin civil dhe ushtarak izraelit në Gaza pas luftës, siç propozojnë disa anëtarë të së djathtës ekstreme në koalicionin qeverisës./Nacionale