Katari: Izraeli ende pa përgjigje për propozimin e armëpushimit në Gaza

Katari deklaroi të martën se Izraeli ende nuk i është përgjigjur propozimit të fundit për armëpushim në Gaza.
“Jemi në kontakt me të gjitha palët për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi, por nuk ka asnjë përgjigje zyrtare nga Izraeli – as pranimi, as refuzimi, e as paraqitja e një propozimi alternativ,” tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Majed al-Ansari, në deklarata të transmetuara nga Al Jazeera.
Javën e kaluar, grupi palestinez Hamas pranoi një propozim për armëpushim të paraqitur nga ndërmjetësit egjiptianë dhe katarias. Por, Izraeli ende nuk është përgjigjur zyrtarisht ndaj planit.
Ansari tha se ndërmjetësit për Gazën janë në kontakt të përditshëm për të arritur një marrëveshje.
“Ne e theksojmë nevojën që Izraeli të nxitet të përgjigjet dhe të angazhohet seriozisht,” u shpreh ai. “Jemi në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga Izraeli për propozimin.”
Duke ritheksuar angazhimin për t’i vazhduar përpjekjet e ndërmjetësimit, Katari u bëri thirrje gjithashtu komunitetit ndërkombëtar të ushtrojë presion ndaj Izraelit për të arritur një marrëveshje armëpushimi.
“Nuk ka rëndësi për Egjiptin apo Katarin se ku do të zhvillohen negociatat,” tha ai, pasi media izraelite sugjeruan zhvendosjen e tyre në një vend tjetër.
“Ajo që pranoi Hamasi është identike me atë që tashmë kishte pranuar Izraeli. Tani topi është në fushën e Izraelit, dhe duket se Izraeli nuk dëshiron të arrijë një marrëveshje apo qoftë edhe të përgjigjet ndaj propozimit.”
Ansari paralajmëroi se përshkallëzimi i Izraelit në terren “nuk do të sjellë rezultate pozitive.”
Izraeli ka vrarë gati 63.000 palestinezë në Gaza që nga tetori 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me uri masive.
Në nëntor të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli po përballet gjithashtu me një akuzë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij kundër enklavës.