Sali pret delegacionin e Këshillit Ndërkombëtar të Universiteteve, në fokus bashkëpunimi akademik

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka pritur sot në Qeveri një delegacion të Këshillit Ndërkombëtar të Universiteteve (IUC), me seli në Ankara të Turqisë, të kryesuar nga Prof. Dr. Orhan Hikmet Azizoglu.
Në përbërje të delegacionit ishin edhe tetë rektorë të universiteteve nga vende të ndryshme, përfshirë Jordaninë, Pakistanin, Katarin dhe Hungarinë. Takimi u përqendrua në mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, me theks të veçantë në arsimin e lartë, shkëmbimin e përvojave akademike dhe krijimin e partneriteteve të reja ndërmjet universiteteve.
Sali vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë dhe zgjerimin e mundësive për studentët dhe stafin akademik.
“Bashkëpunimi ndërkombëtar në arsimin e lartë është i rëndësishëm për rritjen e cilësisë akademike, krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik, si dhe për lidhjen e universiteteve tona me rrjetet ndërkombëtare”, theksoi Sali.
Gjatë takimit u diskutua edhe mundësia e përfshirjes së institucioneve të reja të arsimit të lartë nga Maqedonia e Veriut në Këshillin Ndërkombëtar të Universiteteve, krahas dy universiteteve të vendit që tashmë janë anëtare të këtij organizimi.
Sipas Salit, bashkëpunimi me institucionet akademike ndërkombëtare përbën një mundësi konkrete për zgjerimin e shkëmbimit të njohurive dhe përvojave, si dhe për zhvillimin e arsimit të lartë në vend.
“Bashkëpunimi me institucionet akademike ndërkombëtare mbetet një mundësi konkrete për të krijuar ura të reja të dijes, përvojës dhe zhvillimit, në funksion të avancimit të arsimit të lartë në vendin tonë”, thuhet në njoftimin e zëvendëskryeministrit të parë, Bekim Sali.


