VLEN dorëzoi kallëzim kundër Bujar Osmanit

Koalicioni VLEN ka dorëzuar kallëzim në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit kundër kandidatit të BDI-së në Komunën e Çairit, Bujar Osmani, shkruan Alsat.
Sipas tyre, kallëzimi ka të bëjë me keqpërdorime lidhur me organizimin e Samitit të OSBE-së në Shkup në nëntor të vitit 2023, derisa Osmani ka udhëhequr me Ministrinë e Punëve të Jashtme.
“VLEN dorëzon kallëzim në Prokurorinë Publike që të veprohet mbi raportin negativ të Entit Shtetëror për Revizion në Ministrinë e Punëve të Jashtme, për kohën kur ministër ka qenë Bujar Osmani. Revizorët konstatuan se mbi 120 milionë denarë janë shpenzuar për Samitin e OSBE-së pa dokumentacion dhe evidencë. Kjo ngre dyshime serioze për keqpërdorim të parave publike. Nuk ka dëshmi se ku janë shfrytëzuar këto mjete dhe Prokuroria Publike patjetër të hetojë”, u shpreh Granit Osmani, VLEN.