Ekonomistë nga SHBA-ja dhe Evropa, përfshirë fitues të Çmimit Nobel, i dërgojnë letër Izraelit për “Gazën”

Njëzet e tre profesorë të ekonomisë nga universitete prestigjioze të SHBA-së dhe Evropës i kanë dërguar një letër qeverisë izraelite, transmeton Anadolu.

Mes këtyre profesorëve janë edhe fitues të Çmimit Nobel, si Daron Acemoglu, Angus Deaton, Peter Diamond, Esther Duflo, Claudia Goldin, Eric Maskin, Roger Myerson, Edmund Phelps, Christopher Pissarides dhe Joseph Stiglitz.

“Shkruajmë për të shprehur shqetësimin tonë urgjent për urinë e përhapur në Gaza dhe për planin e qeverisë izraelite për të grumbulluar civilët në të ashtuquajturin ‘qytet humanitar’ “, thuhet në letër.

Në letër kërkohet ndalimi i menjëhershëm i të gjitha politikave që e përkeqësojnë urinë e përhapur.

Gjithashtu kërkohet rikthimi i furnizimit të duhur me ushqim dhe ndihma mjekësore, braktisja e planeve për ngritjen e kampeve për civilët në Gaza, publikimi i një deklarate zyrtare që hedh poshtë çdo propozim për kufizim dhe kontroll të popullsisë, si dhe konfirmimi i angazhimit të Izraelit ndaj të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar.

Në letër kërkohet gjithashtu që qeveria izraelite të angazhohet me mirëbesim për një marrëveshje armëpushimi që do të përmirësonte situatën humanitare, do të kthente pengjet dhe do të ndalte konfliktin.

Theksohet se vetëm në këtë mënyrë Izraeli mund të parandalojë urinë e përhapur, të ruajë strukturën e tij demokratike dhe të sigurojë perspektivat e tij afatgjata ekonomike. Po ashtu u bëhet thirrje liderëve perëndimor të punojnë në mënyrë aktive për zbatimin e këtyre politikave.

Në letër theksohet se Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së në javët e fundit ka paralajmëruar se afërsisht një e treta e popullsisë prej 2,1 milion banorësh në rajon kanë kaluar ditë pa ushqim dhe se çmimet e tregut për produktet ushqimore bazë në Gaza janë 10 herë më të larta se tre muaj më parë.

Gjithashtu theksohet se me “qytetin humanitar” të propozuar si ndihmë nga Izraeli, qindra mijëra banorë të Gazës do të zhvendosen në një zonë të kufizuar, duke i privuar nga liria e lëvizjes dhe dinjiteti njerëzor bazë.

“Është krejtësisht e pamoralshme që Izraeli t’i shohë civilët jo si njerëz që kanë të drejtë për kushte jetese, por si një barrë që duhet kontrolluar”, theksohet në letër.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button