Australi, gjykata vendos kundër Google dhe Apple për sjellje antikonkurruese

Një gjykatë australiane ka vendosur kundër kompanive Google dhe Apple për sjellje antikonkurruese në një çështje vendimtare, transmeton Anadolu.
Sipas Korporatës së Transmetimit Australian (ABC), gjyqtari i Gjykatës Federale, Jonathan Beach, pranoi pjesë kyçe të pretendimit të Epic Games se gjigantët e teknologjisë kanë shkelur ligjet e konkurrencës në Australi duke keqpërdorur fuqinë e tyre në treg kundër zhvilluesve të aplikacioneve dhe duke u angazhuar në praktika tregtare kufizuese.
Vendimi i gjykatës federale hapi rrugën për dy padi kolektive që përfshijnë miliona konsumatorë dhe zhvillues australianë, të cilët mund të kërkojnë kompensim të konsiderueshëm për çmimet e përmbajtjes digjitale dhe komisionet.
Gjyqtari gjithashtu vendosi mbi dy çështje të ngritura nga Epic Games.
Epic Games, krijuesi i lojës popullore Fortnite, ngriti padi kundër Apple dhe Google në vitin 2020, duke argumentuar se kompanitë e teknologjisë po aplikonin një komision “të paligjshëm” prej 30 për qind për blerjet brenda aplikacionit online.
Në vitin 2020, Apple dhe Google e hoqën Fortnite nga dyqanet e tyre të aplikacioneve pasi loja përdorte sistemin e vet të pagesave dhe nuk u jepte kompanive pjesë nga shitjet.
“Kjo është një fitore për zhvilluesit dhe konsumatorët në Australi”, shkroi Epic Games në platformën X, duke reaguar ndaj vendimit prej 2 mijë faqesh.
“Epic Games Store dhe Fortnite do të vijnë në iOS në Australi. Një gjykatë australiane sapo konstatoi se Apple dhe Google abuzojnë me kontrollin e tyre mbi shpërndarjen e aplikacioneve dhe pagesat brenda aplikacionit për të kufizuar konkurrencën”, shtoi kompania.
Gjyqtari gjithashtu hodhi poshtë akuza të tjera, si pretendimet për sjellje të pandershme të kompanive.
Nga ana tjetër, Apple reagoi ndaj vendimit duke “përshëndetur refuzimin nga gjykata australiane të disa prej pretendimeve të Epic, megjithatë, ne nuk pajtohemi me vendimin e gjykatës për disa të tjera”.