Zelensky: Rusia po përgatitet për ofensivë të re ushtarake

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar të martën se ushtria ruse nuk po përgatitet për t’i dhënë fund luftës, por për ofensiva të reja ushtarake. Në këtë kuadër, ai ka falënderuar udhëheqësit evropianë për mbështetjen e tyre ndaj vendit të tij.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zelensky ka theksuar se është thelbësore që uniteti i pikëpamjeve “të mos kërcënohet” dhe u ka bërë thirrje aleatëve të Ukrainës që të rrisin presionin ndaj Rusisë.
“Çështjet që lidhen me sigurinë e Ukrainës dhe Evropës diskutohen nga të gjithë ne së bashku. Çdo vendim duhet të jetë vlerë e shtuar për kapacitetet tona të sigurisë. E nëse Rusia refuzon të ndalojë vrasjet, atëherë duhet të mbahet përgjegjëse”, ka deklaruar ai.
Zelensky ka shprehur edhe mbështetjen e tij për planin e presidentit amerikan, Donald Trump, për të zhvilluar një takim me presidentin rus, Vladimir Putin. “Natyrisht, që të gjithë e mbështesim vendosmërinë e presidentit Trump, dhe së bashku ne duhet të formësojmë pozicionet që s’do ta lejojnë Rusinë që ta mashtrojë botën përsëri”, ka thënë ai.
Ai ka bërë thirrje për presion të vazhdueshëm ndaj Moskës, derisa lufta dhe okupimi të përfundojnë. “Për aq kohë sa ata e vazhdojnë luftën dhe okupimin, të gjithë ne së bashku duhet të ushtrojmë presion, presionin e forcës, presionin e sanksioneve, presionin e diplomacisë. I falënderoj të gjithë që po na ndihmojnë. Paqe përmes forcës”, ka shtuar Zelensky.