Australia thotë se do ta njohë shtetin palestinez

Australia do të njohë shtetin palestinez gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që mbahet në shtator, tha kryeministri i këtij shteti, Anthony Albanese më 11 gusht.
“Zgjidhja me dy shtete është shpresa më e madhe e njerëzimit për ta ndalur ciklin e dhunës në Lindjen e Mesme dhe për t’i dhënë fund konfliktit, vuajtjeve dhe urisë në Gazë”, tha ai për gazetarët në Kanbera.
“Derisa shtetësia izraelite dhe palestineze të bëhen të përhershme, paqja mund të jetë vetëm e përkohshme. Australia do të njohë të drejtën e popullit palestinez për një shtet të vetin. Ne do të punojmë me komunitetin ndërkombëtar që kjo e drejtë të bëhet realitet”, shtoi ai.
Ky vendim i Australisë vjen pasi disa shtete të tjera, përfshirë Francën, Britaninë dhe Kanadanë, kanë njoftuar më herët se do ta njohin një shtet palestinez, pasi Izraeli nisi një luftë në Gazë gati dy vjet më parë në përgjigje të sulmeve të kryera nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – më 7 tetor ndaj Izraelit, raporton REL.
“Ka një mundësi dhe Australia do të punojë me komunitetin ndërkombëtar për ta shfrytëzuar atë”, theksoi Albanese.
Ai tha se vendimi i Australisë bazohet në siguritë e marra nga Autoriteti Palestinez se “nuk do të ketë rol për terroristët e Hamasit në asnjë shtet të ardhshëm palestinez”.
Megjithatë, Autoriteti Palestinez nuk ka prani në Gazë, që qeveriset nga Hamasi për gati dy dekada.