Klitschko: Zelensky do të duhet të marrë vendime të vështira në lidhje me territoret

Kryebashkiaku i Kievit, Vitaly Klitschko, tha sot se është shumë herët për të folur për kërkesat ruse për lëshime territoriale, por se Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky “do të duhet të marrë vendime të vështira” dhe vlerësoi se negociatat me Rusinë, madje edhe me koston e territorit, mund të jenë e vetmja mënyrë për paqe.
Në një intervistë për gazetën gjermane “Bild”, ai theksoi se shumë varet nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili është një “figurë kyçe në botë”, në negociata, por theksoi se Presidenti rus Vladimir Putin “e nisi këtë luftë” dhe se vetëm ai mund ta ndalojë atë.
“Putin aktualisht nuk dëshiron të takohet me Zelensky-n, duke thënë se nuk ka arsye apo temë për diskutim. Forca jonë është uniteti i Ukrainës me Bashkimin Evropian dhe presidentin amerikan; kjo na bën shumë më të fortë”, tha Klitschko.
Ai shtoi se “çështja e integritetit territorial dhe pavarësisë nuk është sekret”.
“Putini nuk e pranon Ukrainën si një vend të pavarur. Ai dëshiron ta pushtojë të gjithë Ukrainën derisa të bëhet pjesë e ‘Rusisë së Madhe’, siç thotë Putini. Ne po luftojmë për të ardhmen tonë evropiane. Pyetja është se çfarë kushtesh do të ketë Ukraina në këto bisedime”, tha ai.
Klitschko tha gjithashtu se të gjithë në Ukrainë janë të lodhur nga lufta dhe se është e nevojshme të gjendet një zgjidhje diplomatike.
“Të gjithë në shtetin tonë, në vendin tonë, janë të lodhur nga kjo luftë. Fatkeqësisht, ne paguam një çmim të madh për këtë luftë: jetët e patriotëve tanë, ushtarëve tanë, qytetarëve tanë. Qindra qytete u shkatërruan. Një pjesë e madhe e Ukrainës u pushtua nga Rusia”, tha ai.