Protestuesit izraelitë në Tel Aviv dënuan planin e pushtimit të Gazës, kërkojnë marrëveshje për pengjet

Dhjetëra mijëra protestues izraelitë bllokuan rrugët në qendër të Tel Avivit të shtunën në mbrëmje, duke kërkuar një marrëveshje shkëmbimi të të burgosurve me fraksionet palestineze dhe duke shprehur kundërshtim ndaj një vendimi të fundit të qeverisë për të ripushtuar Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Kanali 12 i Izraelit raportoi se rreth 60.000 demonstrues u mblodhën në Sheshin e Pengjeve në Tel Aviv, duke mbyllur rrugët në qendër të qytetit në kundërshtim me qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Demonstratat antiqeveritare janë përshkallëzuar në Izrael që kur Netanyahu miratoi një plan për të pushtuar plotësisht Rripin e Gazës, një veprim që familjet e robërve izraelitë dhe ushtria paralajmërojnë se do të rrezikonte jetën e robërve dhe do të shteronte burimet e ushtrisë.
“Bijtë tanë janë ende në Gaza sepse dikush vendosi t’i braktisë ata”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga familjet e pengjeve izraelitë gjatë protestës.
“Vendimi i Netanyahut për Gazën shkon kundër mendimit të Shefit të Shtabit (Eyal Zamir) dhe sakrifikon bijtë tanë”, paralajmëruan ata, duke theksuar se veprimet e qeverisë “nuk janë në interes të shtetit apo të popullit”.
Zamir fillimisht kundërshtoi planin e Netanyahut për ripushtimin e Gazës, duke e quajtur atë një “kurth strategjik” që do ta lodhë ushtrinë për vite me radhë dhe do ta rrezikonte jetën e robërve.
Izraeli po përballet me zemërim në rritje për shkak të luftës shkatërruese në Gaza, ku më shumë se 61.000 persona janë vrarë që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën dhe e ka çuar atë në prag të urisë së përgjithshme.
Në nëntor të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me luftën në enklavën palestineze.