Izet Mexhiti: Sot filloi arrestimi i atyre që bënë thirrje anti-shqiptare

Zëvendëskryeministri dhe nënkryetari i Aleancës për Shqiptarët, Izet Mexhiti, ka reaguar pas arrestimit të njërit prej tifozëve përgjegjës për thirrjet fashiste dhe anti-shqiptare që u dëgjuan ditë më parë në Kumanovë, gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.
“Përgëzoj institucionet për reagimin e shpejtë dhe punën efektive në këtë rast. Mesazhi është i qartë: gjuha e urrejtjes nuk do të tolerohet”, ka theksuar Mexhiti në reagimin e tij.
Në prag të përballjes së rëndësishme të skuadrës së Shkëndijës kundër Qarabagut, ai ka shprehur mbështetje të plotë për ekipin dhe ka bërë thirrje për një atmosferë të denjë sportive.
“E gjithë vëmendja jonë është te krenaria e futbollit, Shkëndija. Uroj me zemër që të dilni me kokën lart nga kjo përballje dhe të vazhdoni të na përfaqësoni denjësisht në arenën ndërkombëtare,” ka shtuar Mexhiti.
Ai u ka bërë apel tifozëve që ta mbështesin Shkëndijën me zemër, por gjithmonë me kulturë sportive dhe dinjitet kombëtar. “Sonte, ta tregojmë atdhedashurinë me sjellje shembullore, jo me gjuhë urrejtjeje ndaj askujt,” përfundon reagimin e tij zv/kryeministri.