Bilall Kasami kandidon për mandatin e dytë: “Në mandatin e parë e shpëtuam Tetovën, tani është koha ta ndërtojmë”

Kryetari aktual i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për një mandat të dytë katërvjeçar, duke theksuar se faza e parë e qeverisjes ka qenë shpëtimi i qytetit nga kolapsi institucional dhe financiar, ndërsa faza e dytë do të jetë ndërtimi i “Tetovës Evropiane”.

Në një deklaratë drejtuar qytetarëve të Tetovës, Kasami kujtoi gjendjen e rëndë në të cilën ndodhej komuna në vitin 2021: me 24 milionë euro borxhe, llogari të bllokuara, infrastrukturë të degraduar, mbeturina në çdo cep, mungesë të jetës kulturore dhe sportive, krim të përhapur dhe administratë të fryrë me punonjës fiktivë.

“Nuk e humbëm mandatin duke u ankuar për trashëgiminë e keqe që na u la, por u përballëm me sfidat dhe vepruam”, tha Kasami, duke nënvizuar transformimin e ndërmarrjeve publike dhe rikthimin e funksionimit të administratës si arritje të rëndësishme të këtij mandati.

Ai theksoi se “4 vite na mjaftuan për ta kthyer Tetovën në rrugën e duhur, por jo për ta ndërtuar atë sipas vizionit tonë të plotë”. Për këtë arsye, kandidimi për një mandat të dytë është i domosdoshëm për të finalizuar projektin “Tetova Evropiane”, i cili tashmë ka themelet e hedhura në periudhën 2021–2025.

“Sot ju ftoj të bashkohemi edhe një herë, për t’i dhënë hov zhvillimit të Tetovës,” u shpreh Kasami në fund të mesazhit të tij, duke e konsideruar qytetin si amanetin më të madh të përbashkët që nuk duhet të lihet pas dore.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button