Izet Mexhiti zyrtarizon kandidaturën për Çairin: “E lashë Qeverinë për t’u kthyer tek njerëzit e mi”

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të Komunës së Çairit, duke e cilësuar këtë hap si një “thirrje të zemrës” dhe një obligim që nuk mund të anashkalohej.
“Çairi është thirrja të cilën nuk mundem ta refuzoj! Çairi është obligimi të cilin me përulësi do ta plotësoj”, shkroi Mexhiti në rrjetet sociale, ku theksoi se ka vendosur të largohet nga posti qeveritar për t’u kthyer pranë qytetarëve të tij.
Duke vënë në pah lidhjen e fortë dhe të pandërprerë me banorët e Çairit, ai nënvizoi se është gati të udhëheq sërish këtë komunë, si një njeri që ka qenë gjithmonë pranë tyre dhe gjithmonë në shërbim të tyre.
“Besoj dhe jam i sigurt se kam bërë zgjedhjen e drejtë dhe të duhur. Sepse njerëzit e Çairit meritojnë kryetar i cili ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë në mesin e tyre,” shkruan më tej Mexhiti, duke e përmbyllur mesazhin me fjalët: “Fitore. Për Çairin. Na qoftë për hajr!”
Kandidatura e tij pritet të ndikojë fuqishëm në garën për Çairin, një komunë me rëndësi të madhe politike dhe simbolike për shqiptarët në Shkup.