Gati gjysma e pjesëmarrësve në një sondazh në Izrael pretendojnë se në Gazë nuk ka uri

Një sondazh i zhvilluar në Izrael zbuloi se 47 për qind e pjesëmarrësve nuk pranuan se kishte uri në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Sipas rezultateve të një sondazhi të opinionit publik nga Instituti i Kërkimeve “Lazar”, të botuar në gazetën “Maariv”, 47 për qind e pjesëmarrësve pohuan se nuk ka uri në Gaza ndërsa 41 për qind pranuan ekzistencën e një krize humanitare dhe 12 për qind theksuan se nuk kanë asnjë mendim për këtë çështje.
Midis atyre që pranuan se kishte krizë humanitare në Gaza, 23 për qind thanë se janë të shqetësuar për situatën ndërsa 18 për qind thanë se nuk u interesonte. Anketa, e realizuar më 30 dhe 31 korrik me pjesëmarrjen e 511 personave, kishte një marzh gabimi prej 4.4 për qind.
Sondazhi është bërë në një kohë kur Rripi i Gazës po përjeton një nga krizat më të rënda të shkaktuara nga njeriu në historinë e njerëzimit, me Izraelin që zbaton një bllokadë së bashku me sulme të dhunshme.
Gaza po vdes nga uria
Rripi i Gazës, nën sulmin izraelit dhe në një rrethim të rreptë që kufizon hyrjen e ndihmës humanitare, po përjeton një katastrofë humanitare, me uri të përhapur dhe mungesë uji, ilaçesh, furnizimesh mjekësore dhe materialesh higjienike.
Vdekjet nga uria, veçanërisht midis fëmijëve, shënojnë rritje në Rripin e Gazës. Që nga 7 tetori 2023, të paktën 154 persona, përfshirë 89 fëmijë, kanë vdekur për shkak të urisë në Rripin e Gazës.
Të paktën 60.239 palestinezë janë vrarë dhe 146.894 janë plagosur në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga kjo datë.