Vendosen tenxhere jashtë zyrës së kryeministrit britanik për të protestuar vrasjen e palestimezëve përmes urisë në Gaza

Mijëra njerëz kanë organizuar një demonstratë jashtë zyrës së kryeministrit në Londër, duke vendosur 1 mijë tenxhere për të simbolizuar të paktën 1 mijë palestinezët që janë vrarë nga Izraeli derisa kërkonin ushqim dhe nga uria, raporton Anadolu.
Protestuesit, të cilët u mblodhën jashtë zyrës së kryeministrit Keir Starmer, goditnin tenxhere dhe tiganë për të protestuar kundër urisë dhe krizës ushqimore “të imponuar me qëllim nga Izraeli”.
Demonstruesit valëvitnin flamuj palestinezë, mbanin pankarta dhe kritikonin Izraelin dhe qeverinë britanike për situatën e rëndë në Rripin e Gazës.
Së fundmi, Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se nëntë palestinezë të tjerë kanë vdekur në 24 orët e fundit për shkak të urisë dhe kequshqyerjes, duke e çuar numrin e vdekjeve të lidhura me urinë në 122, përfshirë 83 fëmijë.
Demonstruesit më vonë vendosën 1 mijë tenxhere dhe tiganë jashtë zyrës për të kërkuar që qeveria të ndërmarrë “veprime të menjëhershme” për të detyruar Izraelin të ndalojë palestinezët e uritur në Gaza.
Clive, një nga protestuesit, tha për Anadolu se uria dhe kriza ushqimore “pa dallim” në Gaza “duket se nuk kanë fund”.
“Nuk ka askush që po kundërshton veprimin. Kushdo që po kundërshton veprimin etiketohet antisemit për shkak se është humanitar”, tha ai.
“Status quo-ja mbetet. Izraeli vazhdon të vrasë. Jo vetëm Hamasin, por pa dallim, fëmijë të pafajshëm të çdo moshe, gra, burra të tjerë gjithashtu. Dhe askush nuk po e ndalon. Vazhdon përapara. Është e tmerrshme”, tha ai.
“Ata nuk kanë turp”
Paul, një tjetër protestues, tha se është i “lodhur duke parë imazhe të Gazës që bombardohet, fëmijë që vdesin”.
“Burra, gra dhe fëmijë vdesin nga uria. Kemi parë njerëz që vdesin nga uria tani. Kjo ka ndodhur për një kohë shumë të gjatë”, theksoi ai.
Duke folur për Bregun Perëndimor të pushtuar, Paul tha se ekziston një gjendje e vazhdueshme rrethimi dhe “vjedhje toke” derisa njerëzit po dëbohen nga shtëpitë e tyre dhe sulmohen nga kolonët izraelitë.
Duke kritikuar pretendimet izraelite se ndaloi shpërndarjen e ndihmave sepse ato po vidhen nga Hamasi, Paul tha se edhe nëse do të ishte kështu forcat izraelite mund ta kishin mbrojtur ndihmën.
“Ministrat izraelitë po flasin për spastrim etnik, po flasin për vrasjen e të gjithë palestinezëve. Ata nuk kanë turp të thonë se tortura është në rregull për të burgosurit palestinezë”, theksoi ai.
Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka vrarë në Gaza të paktën 59.700 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, ka shembur sistemin shëndetësor dhe ka çuar në mungesa të mëdha ushqimore.
Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.