Shefja e Komisionit Evropian i mbijeton votimit të mosbesimit në Parlamentin Evropian
- Gjatë votimit në Parlamentin Evropian në Strasburg, 360 eurodeputetë votuan kundër mocionit, 175 ishin në favor dhe 18 abstenuan

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen i ka mbijetuar një votimi për mosbesim që mund të kishte çuar në rrëzimin e të gjithë komisionit, raporton Anadolu.
Gjatë votimit në Parlamentin Evropian në Strasburg, 360 eurodeputetë votuan kundër mocionit, 175 ishin në favor dhe 18 abstenuan, shifra që ishin shumë larg shumicës prej dy të tretash të nevojshme për miratimin e votimit.
Mocioni u propozua nga eurodeputeti rumun, Gheorghe Piperea, nga grupi i Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë (ECR), duke vënë në shënjestër Von der Leyenin për refuzimin e saj për të zbuluar mesazhet me tekst të shkëmbyera me shefin ekzekutiv të gjigantit farmaceutik Pfizer, Albert Bourla, gjatë negociatave për vaksinat kundër COVID-19 në vitin 2021.
Piperea akuzoi Komisionin Evropian për shkelje të rregullave të veta të transparencës dhe për injorim të një vendimi të Gjykatës së Përgjithshme të BE-së, e cila kishte urdhëruar publikimin e mesazheve.
Ai e quajti veprimin e komisionit një “shpërdorim pushteti” dhe bëri thirrje për transparencë të plotë. Duke iu drejtuar parlamentit të hënën, Von der Leyen hodhi poshtë mocionin si “të marrë nga manuali më i vjetër i ekstremistëve”.
Ajo akuzoi kritikët e saj për përhapje “teorish konspirative” të mbështetura nga interesa të huaja, një referencë implicite ndaj Rusisë.