Fondi norvegjez i pensioneve tërhiqet nga kompanitë që shesin armë ushtrisë izraelite

Fondi më i madh i pensioneve në Norvegji, KLP, ka deklaruar se nuk do të bëjë më biznes me dy kompani që shesin pajisje për ushtrinë izraelite, për shkak të dyshimeve se këto pajisje po përdoren në luftën në Gaza.

Dy kompanitë në fjalë janë Oshkosh Corporation, një kompani amerikane e specializuar në kamionë dhe automjete ushtarake, dhe ThyssenKrupp, një firmë industriale gjermane që prodhon nga makineri industriale deri te anije luftarake.

“Në qershor 2024, KLP mori dijeni për raporte të OKB-së që tregonin se disa kompani të përmendura me emër po furnizonin ushtrinë izraelite me armë apo pajisje që po përdoreshin në Gaza,” tha Kiran Aziz, drejtoreshë për investime të përgjegjshme në KLP Kapitalforvaltning, në një deklaratë për Al Jazeera.

“Përfundimi ynë është se Oshkosh dhe ThyssenKrupp po veprojnë në kundërshtim me udhëzimet tona për investime të përgjegjshme,” vijon deklarata.
“Për këtë arsye kemi vendosur t’i përjashtojmë nga portofoli ynë i investimeve.”

Deri në qershor 2025, KLP kishte investime me vlerë 1.8 milionë dollarë në Oshkosh dhe afërsisht 1 milion dollarë në ThyssenKrupp.

KLP, e themeluar në vitin 1949, është fondi më i madh i pensioneve në Norvegji, me një portofol që arrin rreth 114 miliardë dollarë, dhe ofron skema pensionale për rreth 900,000 persona, kryesisht punonjës të komunave.

Automjete dhe anije luftarake

KLP tha se kishte kontaktuar me të dy kompanitë përpara se të merrte vendimin.

Oshkosh konfirmoi se ka shitur dhe vazhdon të shesë automjete dhe pjesë automjetesh që përdoren nga ushtria izraelite në Gaza.

ThyssenKrupp i tha KLP-së se ka një marrëdhënie afatgjatë me ushtrinë izraelite, duke përfshirë dorëzimin e katër anijeve luftarake Sa’ar 6 për marinën izraelite në periudhën nëntor 2020 – maj 2021. Kompania njoftoi gjithashtu se planifikon të dorëzojë një nëndetëse për Izraelin gjatë këtij viti.

Sipas KLP-së, kur iu kërkua informacion për masat e kujdesit dhe përgjegjësisë lidhur me përdorimin e pajisjeve të shitura, të dyja kompanitë “nuk arritën të dokumentojnë përmbushjen e duhur të detyrimeve të tyre ligjore dhe morale për të shmangur përfshirjen në shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare”.

“Kompanitë kanë detyrim të pavarur për të ushtruar kujdes dhe për të shmangur përfshirjen në shkelje të të drejtave themelore të njeriut dhe të së drejtës humanitare,” tha Aziz.

Tërheqje të mëparshme

Nuk është hera e parë që KLP tërhiqet nga investimet për shkaqe të të drejtave të njeriut.
Në vitin 2021, fondi u tërhoq nga 16 kompani, përfshirë edhe Motorola, për lidhjet e tyre me vendbanimet ilegale izraelite në Bregun Perëndimor.

Po atë vit, KLP u tërhoq nga Adani Ports (Indi) për shkak të lidhjeve me qeverinë ushtarake të Myanmarit.

Në verën e vitit 2023, fondi u tërhoq nga Caterpillar. Sipas një editoriali të Aziz për Al Jazeera, buldozerët Caterpillar modifikohen në Izrael për përdorim ushtarak dhe më pas përdoren në territoret palestineze të okupuara, përfshirë në shkatërrimin e shtëpive dhe infrastrukturës palestineze.

“Përdorimi i vazhdueshëm i këtyre buldozerëve të armatosur ka çuar në paralajmërime të përsëritura nga OKB-ja dhe OJQ-të për përfshirjen e kompanisë në shkelje të të drejtave të njeriut,” shkroi Aziz.

Një trend në rritje

Lëvizja e fundit e KLP-së është pjesë e një trendi më të gjerë evropian, ku fonde të mëdha investimi po heqin mbështetjen për kompanitë izraelite për shkak të lidhjeve me luftën në Gaza ose me vendbanimet ilegale.

Në maj, fondi sovran i Norvegjisë – më i madhi në botë – u tërhoq nga kompania izraelite Paz Retail and Energy për shkak të përfshirjes në furnizimin e vendbanimeve me infrastrukturë dhe karburant.

Në dhjetor 2023, i njëjti fond shiti të gjitha aksionet në kompaninë izraelite Bezeq, për shkak të shërbimeve që ajo ofronte për vendbanimet.

Në shkurt 2024, fondi më i madh i pensioneve në Danimarkë u tërhoq nga disa banka dhe kompani izraelite, ndërsa në qershor 2024, fondi më i madh universitar në Britani, USS, njoftoi se do të shesë të gjitha investimet e lidhura me Izraelin për shkak të luftës në Gaza.

Ky presion i vazhdueshëm i investitorëve tregon se shkeljet e të drejtave të njeriut dhe përfshirja në krime lufte mund të kenë pasoja reale ekonomike edhe për korporatat që ndihmojnë pushtimin dhe represionin. /Al Jazeera/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button