Bozhinovska: Nuk ka rritje të çmimit të energjisë!

Çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet deri në fund të vitit, siguron ministrja e energjetikës, Sanja Bozhinovska. Sipas saj, qytetarët do të kenë furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji elektrike, pa ngarkesa shtesë financiare.
“Kjo do të thotë që gjatë gjithë këtij viti çmimi do të mbetet i pandryshuar. Do të thotë, njerëzit do të kenë ngrohje në shtëpi, ndriçim në shkolla dhe energji për bizneset e tyre”, tha Sanja Bozhinovska – ministre e Energjisë.
Sa i përket hidrocentraleve Çebren dhe Galishtë, Bozhinovska sqaroi se ato janë pjesë e vizionit për pavarësi energjetike. Aktualisht po shqyrtohen modelet për realizim, ndërsa vendimi përfundimtar do të varet nga llogaritjet financiare dhe interesi i investitorëve. Vlerësohet se kostoja e projektit mund të arrijë në 1 miliard e 300 milionë euro.
“Pastaj do të shohim nëse do të jetë 100 për qind e jona, apo eventualisht partneritet publik-privat. Shpresoj që për një periudhë të shkurtër kohe do ta dimë përfundimisht”, u shpreh ministrja e Energjisë, Sanja Bozhinovska.