Elon Musk mohon akuzat për përdorim droge gjatë fushatës zgjedhore: Nuk përdor drogë

Miliarderi amerikan dhe shefi i kompanive Tesla e SpaceX, Elon Musk, ka hedhur poshtë me forcë raportimet e New York Times që pretendojnë se ai ka përdorur lëndë narkotike gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024, shkruan Gazeta Sinjali.
Raporti konfidencial, i cili ka trazuar qarqet politike në Uashington, thotë se Musk ka konsumuar ketaminë në sasi të mëdha, si dhe ekstazi dhe kërpudha halucinogjene, gjë që sipas NYT i ka shkaktuar probleme fizike dhe shqetësim brenda administratës.
Në një reagim të publikuar në platformën X, Musk e mohoi kategorikisht raportin, duke shkruar: “Që të jemi të qartë, unë NUK përdor drogë”, dhe e quajti artikullin e New York Times një “gënjeshtër të pamëshirshme”.
Musk ka pranuar më parë se e ka përdorur ketaminën me recetë për arsye shëndetësore disa vite më parë, duke shtuar se ajo e kishte ndihmuar në tejkalimin e “vrimave të errëta mendore”, por theksoi se nuk e ka përdorur më që atëherë.
Skepticizmi ndaj pretendimeve u shtua edhe më shumë pas paraqitjes së Musk në Shtëpinë e Bardhë përkrah Presidentit Trump, ku u vu re një mavijosje në syrin e djathtë të tij. Pyetjes së një gazetari lidhur me atë lëndim, Musk iu përgjigj se ishte shkaktuar nga djali i tij pesëvjeçar, X.
Elon Musk kishte marrë një rol këshillues në administratën Trump, ku udhëhiqte Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë (DOGE). Ai dha dorëheqjen nga posti pas katër muajsh, mes kritikash për shkurtimet e mëdha në vende pune dhe struktura qeveritare.