Një pjesë e autostradës Ohër-Kërçovë do të hapet në korrik

Turistët edhe këtë verë në Ohër e Strugë do të udhëtojnë përgjatë rrugës e cila assesi të përfundojë. Autostrada Kërçovë-Ohër, e cila është në ndërtim e sipër prej 11 vitesh, sipas punonjësve të turizmit, ka penguar mijëra turistë të kalojnë pushimet pranë Liqenit të Ohrit.
“Në përgjithësi, infrastruktura dhe rruga nga Kërçova në Ohër nuk janë të kënaqshme në atë aspekt. Problemet me infrastrukturën janë tashmë të qarta, sepse kjo zvogëlon edhe numrin e turistëve, pasi është më e lehtë për njerëzit të shkojnë në Greqi ose në Shqipëri nëpërmjet autostradave sesa të vijnë në Ohër”, tha Muza Rashid – pronar i një hoteli në Ohër.
“Për të shkuar në Strugë dhe Ohër, rruga që ka qenë në ndërtim e sipër prej 10 vitesh, mendoj se është problem themelor dhe dështim total këto vite, jo vetëm nga perspektiva e turizmit, por edhe nga perspektiva e gjithçkaje që po ndodh në rajon”, shtoi Ana Jançeva – menaxhere hoteli në Strugë.
Ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski, premton se një pjesë e autostradës do të hapet deri në fillim të korrikut, me shtyrje të vogël nga ajo që ishte premtuar fillimisht.
“Në ndërtimtari, shumë varet nga kushtet e motit. E shihni që këtë vit moti është më i keq seç duhet të jetë për këtë periudhë të vitit, por nuk pres që kjo të nënkuptojë vonesë prej më shumë se 5 deri në 10 ditë. Pra, në fund të qershorit, më së voni në fillim të korrikut, do ta hapim seksionin nga Vërbjani deri në Ohër me ndalesë në Botun. A jeni në qëndrimin tuaj për përfundimin e plotë të autostradës deri në fund të vitit 2026? Deri në fund të vitit të ardhshëm, do ta përfundojmë Ohër-Kërçovë. A është e mundur kjo? Është e mundur, do ta përfundojmë”, u shpreh Aleksandar Nikoloski – Ministër i Transportit dhe i Lidhjeve.
Ndërtimi i rrugës filloi në vitin 2014, me disa vonesa në afatet për vënien e saj në funksion. Ndërkohë, kjo pjesë rrugore ka marrë qindra jetë njerëzish dhe nuk kalon asnjë ditë pa aksident trafiku. Ndërtimi i saj deri më tani ka kushtuar 600 milionë euro./Alsat.mk