Kancelari gjerman e cilëson “tragjedi njerëzore dhe katastrofë politike” masakrën ndaj shkollës në Gaza

Kancelari gjerman Friedrich Merz e cilësoi si “tragjedi njerëzore dhe katastrofë politike” sulmin e ushtrisë izraelite në shkollën “Famhi al-Jarjawi” në Gaza, e cila strehon të zhvendosurit palestinezë, transmeton Anadolu.
Duke kujtuar sulmin izraelit ndaj shkollës “Famhi al-Jarjawi”, në deklaratën në aktivitetin e Forumit Evropian të organizuar nga Institucioni i Radio Televizionit të Gjermanisë Perëndimore (WDR), Merz tha se “Sulmi ndaj shkollës është tragjedi njerëzore dhe katastrofë politike”.
Ai tha se këtë javë do të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. “Do të takohem me Netanyahun. Kemi patur takime me dyer të mbyllura edhe më parë. E kam vizituar dy herë në dy vitet e fundit dhe i kam thënë të mos e ekzagjerojë me dyer të mbyllura”, tha Merz.
Kancelari gjerman theksoi se do të jetë më i qartë lidhur me atë që ushtria izraelite po bën aktualisht në Rripin e Gazës. “Nuk e kuptoj më qëllimin e shkaktimit të kaq shumë vuajtjeve ndaj civilëve, të cilat janë rritur ditët e fundit. Kjo nuk mund të arsyetohet me luftën kundër terrorizmit të Hamasit. Ky është mendimi im”, shtoi ai.
Merz shtoi se vendi i tij duhet të jetë më i kujdesshëm se çdo vend tjetër në botë kur i bën rekomandime publike Izraelit. “Nuk kam nevojë ta shpjegoj këtë, por kur kufijtë e së drejtës ndërkombëtare humanitare shkelen vërtet, edhe Gjermania duhet të thotë diçka për këtë. Unë e kam thënë këtë pak më qartë në ditët e fundit. Ministri i Jashtëm shkoi në Tel Aviv në emrin tim dhe foli me përfaqësuesit e qeverisë në Kuds dhe tani duhet ta themi pak më qartë dhe unë po bëj të njëjtën gjë këtu”, u shpreh ai.
Kancelari gjerman potencoi se vendi i tij ka interes të fortë për të qëndruar në krah të Izraelit dhe beson që edhe Izraeli ka interes të mbetet partneri më i rëndësishëm i Gjermanisë në Evropë. “Dua të mbetet kështu, por qeveria izraelite nuk duhet të bëjë asgjë që miqtë e saj më të ngushtë nuk duan ta pranojnë më”, tha ai.
Merz përsëriti se ata besojnë se një zgjidhje me dy shtete midis Izraelit dhe Palestinës është e duhura për rajonin në planin afatgjatë.