“Familjet e mëdha, zgjidhje për sfidën demografike të Evropës”

Presidentja e Konfederatës Evropiane të Familjeve të Mëdha (ELFAC) me seli në Itali, Maria Regina Maroncelli tha se rënia demografike është bërë një kërcënim serioz, duke sugjeruar që familjet e mëdha mund të ofrojnë zgjidhje për këtë çështje në rritje, raporton Anadolu.
Duke folur të enjten në Forumin Ndërkombëtar të Familjes në Stamboll, Maroncelli theksoi rolin e rëndësishëm që familjet e mëdha mund të luajnë në të ardhmen e shoqërive.
“Familjet e mëdha shpesh mbeten pa mbështetje sociale dhe ndonjëherë edhe stigmatizohen. Megjithatë, ato mund të jenë zgjidhje kyç për krizën demografike dhe mbajnë përgjegjësi jetësore për të ardhmen e shoqërisë”, tha ajo.
Maroncelli theksoi se ELFAC bashkon shoqatat e familjeve nga 22 vende evropiane dhe vuri në dukje se normat e lindjeve në gjithë Evropën po bien me shpejtësi.
Familjet me tre ose më shumë fëmijë tani përbëjnë vetëm 3 për qind të popullsisë.
Ajo theksoi se shumë qytete në Evropë po humbasin popullsi për shkak të normave të ulëta të lindjeve dhe zonat rurale po përballen me rënie serioze.
Maroncelli tha se kanë krijuar një rrjet komunash miqësore për familjet për të inkurajuar qeveritë lokale të miratojnë politika të përqendruara te familja.
Deri më tani, 160 bashki nga dhjetë vende i janë bashkuar këtij rrjeti, shtoi ajo.
Duke vënë në dukje se Turqia nuk po përballet ende me sfida demografike aq të rënda sa ato në Evropë, ajo paralajmëroi se një trend i ngjashëm mund të shfaqet në të ardhmen.
Një shoqëri që mbështet familjet dhe inkurajon lindjen e fëmijëve mund ta ndryshojë këtë trajektore, tha ajo.
Maroncelli nënvizoi se qytetet miqësore ndaj familjes jo vetëm që do të përmirësojnë mirëqenien, por do të kontribuojnë edhe në rritjen ekonomike.
Duke theksuar rëndësinë që qytetet të kenë sukses në zbatimin e politikave familjare, ajo u kërkoi qeverive lokale të tregojnë një angazhim të plotë.



