Franca vendos masa shtesë sigurie në Kaledoninë e Re përpara përvjetorit të parë të lëvizjes për pavarësi

Franca vendosi sot forca shtesë sigurie në territorin e saj të jashtëm, Kaledoninë e Re, përpara përvjetorit të lëvizjes për pavarësi që shpërtheu në maj të vitit të kaluar dhe u shtyp me forcë, tarnsmeton Anadolu.
Qeveria franceze dërgoi 2.600 pjesëtarë sigurie dhe automjete të shumta të blinduara në arkipelagun e Paqësorit Jugor, duke përmendur nevojën për të “garantuar sigurinë publike”, raportoi France Info.
Komisioneri i Lartë Francez në këtë territor, Jacques Billant, njoftoi se forcat e sigurisë do të mbeten në ishull deri në njoftim të mëtejshëm.
Billant vuri në dukje se, megjithëse aktualisht nuk ka atmosferë mobilizimi masiv në ishull, autoritetet po mbajnë një qasje të kujdesshme ndërsa po afrohet përvjetori i protestave të 13 majit 2024.
Ndërkohë, demonstratat në kryeqytetin Noumea, i cili ishte epiqendra e trazirave të vitit të kaluar, janë ndaluar nga 8 deri më 15 maj.
– Pa përparim në bisedimet me grupet pro pavarësisë
Ministri francez për Territoret Jashtë Shtetit Manuel Valls tha se bisedimet e mbajtura gjatë tri ditëve të fundit me përfaqësuesit pro pavarësisë në Kaledoninë e Re kanë përfunduar pa marrëveshje.
Duke folur në Komisionin e Lartë Francez në Noumea, Valls tha se dy propozime në lidhje me statusin e ardhshëm të ishullit janë në tryezë, njëri i mbështetur nga qeveria franceze dhe një tjetër nga grupet kundër pavarësisë.
Ai tha se qeveria ka propozuar një “kornizë të përbashkët sovraniteti me Francën”, ndërsa fraksionet kundër pavarësisë kanë sugjeruar një “strukturë federale brenda Republikës Franceze”. Megjithatë, nuk është arritur konsensus për asnjërin plan.
– Protestat pro pavarësisë të vitit 2024 u shtypën me forcë
Trazirat e majit 2024 filluan pasi qeveria franceze nxiti një reformë kushtetuese që binte ndesh me marrëveshjet e bëra me popullsinë indigjene Kanak, duke çuar në protesta masive në gjithë ishullin.
Reforma synonte t’u mundësonte banorëve francezë afatgjatë, ata që kishin jetuar në ishull për të paktën dhjetë vjet, të votonin në zgjedhjet lokale. Ky veprim u pa si minim i Marrëveshjes së Noumeas të vitit 1988, e cila i kishte dhënë territorit autonomi dhe mbronte të drejtat politike të kanakëve.
Në përgjigje, Franca vendosi mijëra policë dhe xhandarmëri për të shuar protestat. Gjendje e jashtëzakonshme u shpall më 13 maj dhe u hoq më vonë më 27 maj, pasi autoritetet rimorën kontrollin në Noumea.
Trembëdhjetë persona u vranë gjatë operacioneve të kryera nga forcat franceze të sigurisë gjatë trazirave.