Mickoski: Qeveria e udhëhequr nga LSDM dhe BDI i dha dritë jeshile shfuqizimit të balancuesit

Opozita shqiptare kërkon llogari nga Qeveria për atë se deri ku është ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili po qëndiset tanimë më tepër se gjashtë muaj. Deputeti Blerim Bexheti nga Fronti Evropian, në mungesë të ministrit të Administratës, Goran Minçev, pyeti kryeministrin se pse nuk ka asnjë informacion mbi grupin punues dhe deri ku është situata me këtë ligj.
“Besoj se do të gjejnë forcën qoftë ju z.kryeministër qoftë ministri në mungesë që një herë e përgjithmonë të jetë i qartë dhe preciz, që të respekton kushtetutën, të respekton frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe të tregoni një herë pasi që Qeveria ka një program pune në cilin muaj ky plan aksional se u lodhën Izet Mexhiti dhe Arben Fetai duke thënë këto dy javë këto dy javë. Është bërë si çështje humori, herë këtë të enjte herë atë të enjte, kjo puna e ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Personat publik duhet të mbahen për fjale”, deklaroi Blerim Bexheti – Fronti Evropian.
Por kryeministri Mickoski i rikujton Bexhetit, se ishte qeveria e udhëhequr nga LSDM dhe BDI ajo që dha dritë jeshile për shfuqizimin e balancuesit. Thotë se ligji është gati por se bëjnë kujdes që të mos përgatisin ligj gjysmak. Premton se ai personalisht do ta prezantojë para deputetëve në Kuvend.
“Unë mund t’u them se do të ketë ligj për përfaqësim të drejtë. Unë personalisht do ta sjellë këtu dhe personalisht do ta mbroj. Do të jetë kushtetues dhe do të garantojë përfaqësim të drejtë të vërtetë për të gjitha komunitetet. Unë garantoj për përfaqësimin e drejtë, ja ta dini. Dhe askush nuk do të ndjehet i diskriminuar”, u shpreh Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Për ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, dje zv.kryeministri Arben Fetai tha se këtë javë pritet të mbahet takimi final i grupit punues dhe më pas bashkë me kryeministrin ta prezantojnë në Kuvend, por duke mos dhënë afat kohor se kur mund të ndodhë kjo. Fetai që nga shtatori i vitit të kaluar në disa paraqitje publike pati thënë se “javën e ardhshme” do të publikohet drafti përfundimtar i këtij propozim ligji por deri tani nuk është publikuar asnjë draft. /Alsat.mk