Stuhia e madhe godet Alpet, të paktën tre të vdekur

Stuhia mbylli rrugët, ndaloi trenat dhe ndërpreu energjinë në zona në Francë, Itali dhe Zvicër.
Edhe pse bora në prill nuk është e rrallë në malet e Alpeve, sasia që ra në vetëm disa orë ishte e pazakontë dhe i befasoi autoritetet dhe banorët.
Bëhet e ditur se në Itali, trupat e një 64-vjeçari dhe djali i tij 33-vjeçar u gjetën pranë Vicenzas në rajonin e Venedikut, duke e çuar në tre numrin e viktimave në vend.
Dyshja kishin dalë vullnetarë për të ndihmuar në përpjekjet e shpëtimit pas shirave të dendur që goditën veriun e vendit dhe ishin rrugës kur vetura e tyre u përfshi nga rrymat e përmbyteve në atë që kreu i rajonit, Luca Zaia, e quajti një “tragjedi të paimagjinueshme”.
Një ditë më parë, një burrë 92-vjeçar u gjet i vdekur në shtëpinë e tij të përmbytur në rajonin verior të Piemonte, njoftoi brigada e zjarrfikësve, shkruajnë mediat e huaja.
“Shiu intensiv dhe i bollshëm kishte përmbytur veriun e Italisë, duke u kthyer më pas në borë mbi 1,800 metra”, tha zyrtari.
Në vendpushimin francez të Val Thorens, një grua pati një atak në zemër pasi u varros nga një ortek.
Dhe në Tignes, autoritetet urdhëruan banorët të qëndrojnë brenda pasi më shumë se 1.1 metra borë ra gjatë natës.
“Të gjitha veturat janë të mbuluara deri në çati… Vetëm të ecësh jashtë është shqetësuese”, tha Mathis, një punonjës hoteli në Tignes.
Raportohet se rreziku i ortekëve u rrit në nivelin e tij maksimal në disa rajone, duke mbyllur disa zona skijimi.
“Në një kohë kaq të shkurtër, kjo është një sasi e madhe bore”, tha Yann Geaudry, instruktor skish në pension në fshatin francez të Termignon.
Ndryshe, shumë rrugë u mbyllën në të tre vendet për shkak të pemëve të rrëzuara ose rrezikut të ortekëve.
Kamionëve të rëndë u ndalua përdorimi i tunelit kryesor Mont Blanc midis Francës dhe Italisë dhe dhjetëra që nuk mund të kalonin nëpër tunele u bllokuan në autostradën A43 që lidh Italinë dhe Francën.
Trenat u prekën gjithashtu dhe në një moment më shumë se 3,300 shtëpi në Francë dhe 5,000 familje në Itali mbetën pa energji, sipas autoriteteve.