Maqedonci takon presidentin e mbrojtjes në Turqi, diskutojnë për bashkëpunim mes dy shteteve

Në kuadër të Forumit Diplomatik në Antalya, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me Presidentin e Industrisë së Mbrojtjes së Turkíye, Prof. Dr. Haluk Görgün, raporton Gazeta Sinjali.
Maqedonci bëri të ditur se gjatë këtij takimi është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në sektorin e industrisë së mbrojtjes, si dhe për hapat strategjikë që do të ndikojnë në forcimin e sigurisë rajonale.
“Industria e mbrojtjes do të vazhdojë të ketë vëmendje të veçantë në prioritetet tona në fushën e mbrojtjes. Në Antalya, në kuadër të Forumit Diplomatik takova Presidentin e Industrisë së Mbrojtjes së Turkíye Prof. Dr. Haluk Görgün, me të cilin diskutuam bashkëpunimet që mund të zhvillohen midis dy vendeve në fushën e industrisë së mbrojtjes si dhe hapat strategjikë që do të kontribuojnë në sigurinë rajonale“, shkroi ai në ‘Facebook’.
Sipas Maqedoncit, kjo lloj qasjeje jo vetëm që e afron më shumë Kosovën me vendet partnere, por njëherësh forcon edhe kapacitetet e brendshme për vetëqëndrueshmëri në prodhimin e municioneve.
“Zhvillimi i industrisë së mbrojtjes forcon marrëdhëniet mes vendeve tona
si dhe kontribuon fuqishëm në zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve tona duke krijuar vetëqëndrueshmëri për municione të kalibrave të ndryshëm“, u shpreh ai.