UNESCO thirrje për hetim transparent për kameramanin e AA-së që u vra në sulmin e Izraelit

Drejtoresha e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), Audrey Azoulay, bëri thirrje për “kryerjen e një hetimi të plotë dhe transparent” lidhur me kameramanin e Agjencisë Anadolu (AA), Montaser Al-Sawaf, i cili humbi jetën në sulmet e Izraelit në Gaza.
Në një deklaratë me shkrim nga UNESCO, rikujtohet se kameramani i AA-së Montaser Al-Sawaf humbi jetën më 1 dhjetor në një sulm ajror kundër Gazës teksa ai po kryente detyrën e tij dhe se UNESCO, duke rritur ndërgjegjësimin global dhe duke ndërtuar aftësinë, inkurajon sigurinë e gazetarëve në kuadrin e koordinimit lidhur me zbatimin e Planit të Veprimit të OKB-së për Sigurinë e Gazetarëve.
Në deklaratën e UNESCO-s janë paraqitur edhe vlerësimet e bëra nga Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay.
Azoulay ka shprehur “keqardhje” për vrasjen e Al-Sawafit në sulmin ajror kundrejt Gazës dhe rikujton se edhe mbrojtja e gazetarëve, ashtu si civilët, është detyrim që rrjedh nga e drejta ndërkombëtare, duke përfshirë rezolutën 2222/2015 të Këshillit të Sigurimit të kombeve të Bashkuara.
“Për zbulimin e rrethanave të kësaj tragjedie, bëj thirrje për kryerjen e një hetimi të plotë dhe transparent”, ka deklaruar drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s.
Zyra për media e lidhur me qeverinë në Gaza ka informuar se 89 gazetarë kanë humbur jetën në sulmet që Izraeli ka ndërmarrë që nga 7 tetori.

