Kurti: Serbia ndërhyri drejtpërdrejt në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia ka ndërhyrë drejtpërdrejt në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit në Kosovë, raporton Anadolu.

Në një konferencë për media nga Qeveria e Kosovës, bashkë me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, Kurti e quajti këtë si ndërhyrje në sovranitetin dhe demokracinë e vendit.

Kryeministri Kurti tha se ministri nga komuniteti serb në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, “është kërcënuar vazhdimisht nga Milan Radoiçiqi dhe njerëzit e tij, me anë të mesazheve”.

“Aparati shtetëror i Serbisë ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme t’i dëmtojë subjektet rivale serbe, veçanërisht Partinë për Liri, Drejtësi e Mbijetesë dhe Partinë Demokracia Serbe, si dhe votuesit të subjekteve të komuniteteve të tjera, kryesisht romë dhe ashkali”, tha ai.

Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë udhëhiqet pikërisht nga Nenad Rashiq dhe në zgjedhje arriti ta fitojë një ulëse në Kuvend, duke bërë që Lista Serbe të mbetet me 9 deputetë dhe jo me 10 si në legjislaturat e kaluara.

Sipas Kurtit, përfaqësues të caktuar nga pothuajse të gjitha subjektet e tjera politike serbe janë tërhequr nga gara pas kërcënimeve që kanë marrë.

Ai tha se këto raste përpos në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, janë shënuar edhe në gjashtë komuna tjera në jug të vendit.

“Për shumicën e këtyre rasteve, institucionet tona kanë dëshmi të cilat për hir të privatësisë dhe sigurisë së qytetarëve serbë, nuk është e dobishme të bëhen publike”, tha Kurti.

Ministri Rashiq, ndërkaq, tha se autoritetet serbe i përdorin serbët e Kosovës si mekanizëm për menaxhim por edhe si element destruktiviteti.

Partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe, nëpërmjet një reagimi publik në rrjetet sociale hodhi poshtë akuzat e kryeministrit Kurti për ndërhyrje të Serbisë në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kjo parti i cilësoi si “gënjeshtra brutale” akuzat që Kurti dhe lideri i partisë serbe në Kosovë, Partia për Liri, Drejtësi e Mbijetesë, Nenad Rashiq, i bënë ndaj Serbisë.

Për ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet e 9 shkurtit, edhe misioni vëzhgues i BE-së, në prezantimin e gjetjeve preliminare ka thënë se Serbia kishte ndërhyrë në zgjedhje përmes trysnisë ndaj votuesve serbë në Kosovë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button