Plani franko-britanik për paqen, Starmer: Askush nuk do vijimin e konfliktit

Kyeministri britanik, Keir Starmer, ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar dhe Franca do të punojnë me Ukrainën për të hartuar një plan armëpushimi, i cili do t’i paraqitet më pas Shteteve të Bashkuara.
Sipas Starmer, nisma është ndërmarrë pas një bisede telefonike që ai ka zhvilluar me presidentët Donald Trump, Emmanuel Macron dhe Volodymyr Zelensky, pas dështimit të takimit të së premtes në Dhomën Ovale.
Starmer ka sugjeruar se “pak vende të tjera” mund të përfshihen në këtë përpjekje për uljen e armëve.
Ai e ka përshkruar këtë nismë si një “hap të rëndësishëm përpara”, pasi marrëdhëniet mes Kievit dhe Uashingtonit u dëmtuan rëndë të premten.
“Askush nuk do që ky konflikt të vazhdojë, më shumë se të gjithë ukrainasit. Besoj se edhe Trump është i angazhuar për një paqe afatgjatë”, ka thënë kreu i qeverisë britanike në një intervistë për BBC.
I pyetur mbi detajet nëse plani në fjalë pranohet nga presidenti amerikan, Starmer ka thënë: “Kjo do të thotë se jemi në të njëjtën linjë sa i takon kushteve të marrëveshjes dhe se kjo linjë duhet mbrojtur”.
“Presidenti Zelensky ka të drejtë kur shqetësohet dhe kur thotë se në rast të një ujdie, ajo duhet të mbajë. Për këtë arsye kemi folur për garancitë, për mënyrën se si do ta mbrojmë marrëveshjen nëse ajo arrihet”, ka shtuar Starmer, pak përpara fillimit të samitit të liderëve evropianë në Londër.