UNICEF: Vdekjet e fëmijëve në Ukrainë u rritën me 50 për qind vitin e kaluar

Drejtori i Komunikimit i Fondit të OKB-së për Fëmijët (UNICEF) në Ukrainë, Toby Fricker, njoftoi se vitin e kaluar në Ukrainë për shkak të luftës që vazhdon me Rusinë ka pasur një rritje me 50 për qind në vdekjet e fëmijëve krahasuar me vitin 2023, transmeton Anadolu.
Fricker bëri vlerësime në pjesëmarrjen e tij online në konferencën javore për media të Zyrës së OKB-së në Gjenevë.
Duke kujtuar se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës filloi në shkurt të vitit 2022, Fricker tha se një në pesë fëmijë në vend ka humbur një të afërm apo mik të ngushtë gjatë kësaj periudhe.
Fricker theksoi se sipas shifrave të verifikuara nga OKB, që nga fillimi i luftës janë vrarë ose plagosur më shumë se 2.520 fëmijë, ndërsa shtoi se numri real është ndoshta shumë më i lartë.
Ai gjithashtu theksoi se situata në Ukrainë po përkeqësohet.
“Në vitin 2024 ka pasur një rritje me 50 për qind të vdekjeve të fëmijëve në krahasim me vitin 2023. Asnjë vend nuk është i sigurt. Shkollat, repartet e lindjes dhe spitalet e fëmijëve u prekën nga sulmet. Sipas të dhënave të verifikuara nga OKB-ja, rreth 780 objekte shëndetësore dhe më shumë se 1.600 shkolla u dëmtuan ose u shkatërruan”, njoftoi ai.