Kina e mbështet planin e Trumpit për marrëveshje me Rusinë rreth luftës në Ukrainë

Kina doli në përkrahje të përpjekjeve të presidentit amerikan, Donald Trump, për të arritur marrëveshje me Rusinë për përfundimin e luftës në Ukrainë, në një takim të Grupit G20 në Afrikën e Jugut të enjten, ndërsa aleatët e ShBA-së u rreshtuan me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Trumpi të mërkurën e quajti “diktator” homologun ukrainas, duke nxitur deklarata në mbështetje të Zelenskyt nga vende anëtare të Grupit G20 si Australia, Gjermania dhe Britania e Madhe, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Kina i mbështet të gjitha përpjekjet që janë të favorshme për paqen (në Ukrainë), përfshirë konsensusin e arritur rishtazi mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë” – tha ministri i Punëve të Jashtme i Kinës, Ëang Yi, para homologëve të tij të vendeve të Grupit G20 të mbledhur në Johanesburg, sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme të Kinës.

“Kina është e gatshme që të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në zgjidhjen politike të krizës” – shtoi kryediplomati kinez, përcjell gazeta “Nacionale”.

Megjithatë, ai nuk e përsëriti pikën që e përmendi në Konferencën e Munihut për Sigurinë të premten e kaluar që të gjitha palët në konfliktin Rusi – Ukrainë duhet të marrin pjesë në çfarëdo negociate për paqe.

“Kina është përgjithësisht e lumtur që ta shohë lehtësimin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë dhe zhvendosjen e krizës ukrainase drejt një zgjidhjeje politike, por do t’i kushtojë vëmendje të afërt drejtimit të bisedimeve dhe drejtimit të lehtësimit të marrëdhënieve amerikano-ruse” – tha Cui Hongjian, shef i studimeve për Bashkimin Evropian në Universitetin e Pekinit për Studime të Jashtme.

“Nëse Kina merr pjesë në ndërmjetësim, kjo mund ta zvogëlojë rrezikun që Shtetet e Bashkuara ta përdorin lehtësimin e marrëdhënieve me Rusinë për t’i dëmtuar interesat e Kinës” – shtoi ai.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button