SHBA, përmbytje dhe rrëshqitje dheu në Kaliforni

Përmbytjet e shkaktuara nga fenomeni i “lumenjve atmosferik” që vazhdon ndikimin e tij në rajonin Sonoma County në shtetin e Kalifornisë në SHBA ka ndikuar negativisht në jetën e qytetarëve, transmeton Anadolu.
Si pasojë e vërshimit të lumenjve në rajon, disa rrugë janë mbyllur për qarkullim. Në disa zona janë shënuar rrëshqitje dheu ndërsa vërehet se këto zona janë rrethuar me shiritin e sigurisë dhe sinjalistika të tjera për paralajmërimin e qytetarëve.
Ndërkohë vihet në dukje se një shtëpi është dëmtuar si pasojë e përmbytjes dhe vërshimit të Russian River që ndodhet në rajon.
Kalifornia në bregun perëndimor të SHBA-së, prej disa ditësh përballet me përmbytje dhe rrëshqitje të dheut si pasojë e erërave të forta dhe reshjeve të shkaktuara nga efekti i “lumit atmosferik”, një fenomen që shkaktohet nga rrymat e ajrit me lagështi intensive.
Për shkak të kushteve të pafavorshme të motit shumë fluturime u anuluan ndërsa qytetarët u këshilluan të mos përdorin automjetet e tyre për një kohë.