Qeveria e Grenlandës planifikon votim për pavarësi
![](https://alfax.mk/wp-content/uploads/2025/02/gren-780x470.webp)
Partia Siumut, që udhëheq Qeverinë e Grenlandës, planifikon votim për pavarësi, pas zgjedhjeve nacionale muajin e ardhshëm.
Çështja u bë urgjente pasi presidenti amerikan, Donald Trump u shpreh haptas i interesuar që ta marrë nën kontroll ishullin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Territori gjysmë autonom nën mbretërinë e Danimarkës të mërkurën ka njoftuar se zgjedhjet do të mbahen me 11 mars.
Problemet kryesore gjatë kësaj fushate janë aspiratat e Grenlandës për pavarësi dhe lidhjen e saj me Danimarkën dhe SHBA-në nën Trumpin, pasi ky i fundit ka shprehur disa herë dëshirën për të kontrolluar ishullin strategjik.
Grenlanda është koloni e Danimarkës që nga viti 1953, dhe ka të drejta të zgjeruara të vetëqeverisëse.
Siumut, partia partnere në qeverinë e koalicionit me dy parti në Grenlandë, planifikon të aktivizojë një opsion të aprovuar në vitin 2009, që i garanton rritje të autonomisë Grenlandës, përfshirë të drejtën për të negociuar pavarësinë e plotë, ka deklaruar zëdhënësja e partisë Doris Jensen.
Ajo ka deklaruar se Grenlanda duhet të jetë e pavarur nga Danimarka që të jetë në gjendje të negociojë të ardhmen e vet.
“Derisa vendi jonë të arrijë statusin e shtetit të pavarur, mundësitë tona për të marrë pjesë zyrtarisht në negociata do të jenë të limituara”, ka shtuar ajo.
Lideri i partisë Erik Jensen ka deklaruar se pritet që votimi për pavarësi të ndodhë “brenda periudhës së zgjedhjeve të radhës” , por nuk ishte specifik. Zgjedhjet mbahen çdo katër vjet.
Pesë parti politike në Parlament kanë deklaruar se nuk duan që Grenlanda të bëhet pjesë e SHBA-së.
Në një sondazh për qëndrimin e popullsisë ndaj kësaj çështjeje, 85% e popullsisë së Grenlandës e ka refuzuar dhe afër gjysma kanë deklaruar se e shohin interesimin e Trumpit si kërcënim.
Grenlanda, e pasur me burime minerale të pa shfrytëzuara, varet shumë nga peshkimi dhe grandet daneze për ekonominë e saj.
Jensen ka deklaruar se vendimi për pavarësi duhet të bëhet me vetëdije të plotë për implikimet.
“Duhet të bëhet me një bazë të informuar, që popullsia të mos ketë dyshime rreth pasojave. Ne kemi sistem shëndetësor që duhet të funksionojë dhe kemi disa aspekte ekonomike që duhet t’i rishikojmë”, ka shtuar ai.