Nikolloski paralajmëron 1.200 vende të reja pune në ndërtimin e autostradës Prilep-Manastir

Me përshpejtimin e ndërtimit të autostradës Prilep-Manastir, hapen rreth 1.200 vende të reja pune të mirëpaguara për inxhinierë të ndërtimit dhe të trafikut, gjeodetë, staf teknik dhe laboratorik, operatorë të makinerive të ndërtimit, shoferë dhe lloje të tjera të punëtorëve, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar, Nikolloski në panairin e punës të sotëm në Prilep, të organizuar nga Behtel dhe Enka.
Kjo, siç tha ai, është një mundësi e madhe për të rinjtë që diplomohen në fakultetet e inxhinierisë së ndërtimit ose të arkitekturës, për inxhinierët e rinj, por edhe për punëtorët e kualifikuar dhe të pakualifikuar që të gjejnë punë në kuadër të këtij projekti.
“Me përshpejtimin e ritmit të ndërtimit të autostradës Prilep-Manastir, hapen rreth 1.200 vende të reja pune, një mundësi për të punësuar rreth 1.200 persona, që është një mundësi e madhe për të gjithë Rajonin e Pellagonisë. Një mundësi e madhe për shumë njerëz që të gjejnë një punë, por edhe të fitojnë përvojë dhe njohuri që është një mundësi e rrallë për t’u fituar, sepse një autostradë nuk ndërtohet çdo ditë. Do t’i lexoj edhe profesionet e sakta: për inxhinierë ndërtimi dhe trafiku, gjeodetë, staf teknik dhe laboratorik, operatorë makinerish ndërtimi, shoferë, punëtorë ndërtimi të kualifikuar dhe të pakualifikuar”, tha Nikolloski.
Panairi i punës do të zgjasë disa ditë, dhe siç theksoi Nikolloski, kompania Behtel dhe Enka është renditur si një kompani ndërtimi konkurruese në vend si për nga njohuritë ashtu edhe për vendet e punës të paguara mirë.
“Sigurisht, ky është vetëm fillimi dhe është dita e parë. Mundësia do të jetë e hapur, këtu, e përsëris edhe një herë, po krijohen 1.200 vende pune. Ajo që dua të them gjithashtu është se dy kompanitë, Behtel dhe Enka, janë në krye kur shihni pagën mesatare mujore neto të paguar. Domethënë, mesatarja për vitin 2025 është 137.000 denarë, dhe ata nuk kanë pagë nën 60.000 denarë. Që do të thotë se po flasim për vende pune jashtëzakonisht të paguara mirë dhe për këtë arsye dua t’i motivoj të gjithë banorët e Prilepit, por edhe të komunave të tjera, të Mogillës, të Novacit, të Rosomanit, të Krivogashtanit, të Krushevës, të Demir Hisarit, të Resnjës, të Manastirit, të aplikojnë dhe të gjejnë punën e tyre këtu, duke marrë parasysh se në tre vitet e ardhshme do të ketë aktivitete mjaft intensive”, theksoi Nikolloski.
Ai, së bashku me përfaqësues nga Behtel dhe Enkës, drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, Koce Trajanovski, zëvendësministrin e Ekonomisë Marjan Risteski dhe deputetët, prezantuan mundësitë, kushtet e punësimit, si dhe dinamikën e ndërtimit të autostradës Prilep-Manastir.



