Izraeli udhëzon ushtrinë të përgatisë plane për largimin e palestinezëve nga Gaza

Ministri izraelit i Mbrojtjes ka thënë se ka udhëzuar ushtrinë që të përgatisë plane që një numër i madh i palestinezëve të largohen “në mënyrë vullnetare” nga Rripi i Gazës, në linjë me propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për territorin e shkatërruar nga lufta.

Israel Katz tha më 6 shkurt se plani “do të përfshijë opsione për t’u larguar përmes pikakalimeve tokësore si dhe një marrëveshje të posaçme për largim nga deti dhe ajri”.

Ai tha se mirëpret planin “e guximshëm të Trumpit, që mund të lejojë një pjesë të madhe të popullsisë së Gazës të largohet në pjesë të ndryshme të botës”.

Katz nuk tha se nëse palestinezët do të mund të ktheheshin një ditë në Gazë, që është bërë gjerësisht e pabanuar pas fushatës ushtarake 15-mujore të Izraelit kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Më herët gjatë javës, Trump propozoi që shumica e popullsisë së Gazës të vendosej “në mënyrë të përhershme” diku tjetër derisa SHBA-ja të rindërtonte territorin.

Zyrtarët amerikanë më pas thanë se zhvendosja do të ishte vetëm e përkohshme, por palestinezët kanë shprehur frikën se Izraeli nuk do t’i lejojë që të kthehen më.
Detajet e planit të Trumpit, që u përmend për herë të parë muajin e kaluar, mbeten të paqarta. Ende nuk dihet se nën çfarë autoriteti mund ta merrte SHBA-ja nën kontroll Gazën ose si do të zhvendoseshin 2.3 milionë banorët e saj.

Propozimi i presidentit amerikan ka shkaktuar shqetësim se mund të rrezikohet marrëveshja e brishtë e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, grupit radikal palestinez që ka udhëhequr Gazën që nga viti 2007.

Armëpushimi me disa faza, i cili hyri në fuqi muajin e kaluar, ndaloi përkohësisht më shumë se një vit luftime në këmbim të lirimit të pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button