Mbështetësit e Palestinës protestojnë para Shtëpisë së Bardhë kundër Netanyahut dhe Trumpit
![](https://alfax.mk/wp-content/uploads/2025/02/dcs-780x470.jpg)
Mbështetësit e Palestinës që u mblodhën para Shtëpisë së Bardhë, protestuan kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit amerikan Donald Trump, raporton Anadolu.
Protesta në Washington u zhvillua gjatë kohës kur Trump dhe Netanyahu po takoheshin në Zyrën Ovale.
Qindra njerëz nga shumë organizata të shoqërisë civile morën pjesë në protestën në të cilën u valëvitën flamujt palestinezë dhe u brohoritën slogane të tilla si “Liri Palestinës”, “Kryeministri i gjenocidit” dhe “Stop pritjes së një krimineli lufte”.
Duke theksuar se Netanyahu është një “kriminel lufte”, protestuesit mbajtën në duar pankarta me mbishkrimet: “Kryeministri i gjenocidit”, “Netanyahu është një kriminel lufte” dhe “Izraeli po vret”.
Protestuesit bënë thirrje për arrestimin e Netanyahut, ndaj të cilit ka urdhër arresti të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) me arsyen se ka kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Në pamjet nga protesta paraqiten pankarta me mbishkrime që kërkonin që SHBA-ja të ndalojë dërgimin e armëve dhe ndihmave të tjera për Izraelin ndërsa dëgjohet që protestuesit brohorasin “Netanyahu, t’i je një tiran” dhe “Netanyahu, je një frikacak”.
“Netanyahu duhet të jetë në Hagë”
Matthew Watterman, një nga protestuesit duke folur për AA-në tha se SHBA-ja prej 15 muajsh mbështet gjenocidin e Izraelit në Gaza, pushtimin e tij prej dekadash dhe krimet e luftës kundër popullit palestinez.
“Ne besojmë se fakti që Netanyahu vjen këtu në qytetin tonë dhe dëshiron që taksat tona të përdoren për të kryer mizori kundër popullit palestinez është diçka që duhet protestuar dhe rezistuar”, tha Watterman i cili shtoi se amerikanët nuk duan që taksat e tyre të përdoren për të “kryer persekutim”.
Dolia C., një tjetër protestuese tha se Netanyahu është një “kriminel lufte”. “(Netanyahu) nuk duhet të jetë këtu, ai duhet të jetë në Hagë”, tha ajo.
“(Trump) Ju duhet ta ndaloni këtë pushtim brutal”
Yitzchok Deutsch, një rabin nga demonstruesit, tha se është “qesharake” që “një kriminel lufte” të pretendojë se përfaqëson fenë hebraike. “Ne jemi këtu për t’i dhënë presidentit Trump një mesazh: Nëse doni të jeni presidenti i paqes në botë, duhet të ndaloni këtë lëvizje sioniste, duhet të ndaloni këtë pushtim brutal që ka mbi 76 vjet që vazhdon”, tha Deutsch.
Më tej ai theksoi se Netanyahu “përdor fenë për të legjitimuar krimet”.